Nuk ka negociata për kodin e ri zgjedhor

    “Gjatë kësaj jave ose në javën e ardhshme, do të fillojmë procesin e përgatitjes për miratimin e kodit të ri zgjedhor. Kjo do të thotë që ne do ta vazhdojmë procedurën për atë që ndodhi në vitin 2015, kur u formua grupi punues mes ministrive, dhe i cili filloi aktivitetet e tij në vitin 2016, dhe aktivitetet e fundit i kishte në prill të vitit 2021”, pati deklaruar Nikolla Tupançevski, ministër i Drejtësisë.

    Ky prononcim i ministrit të Drejtësisë Nikolla Tupançevski që na maj të këtij viti, nuk është vënë akoma në zbatim. Negociatat për një Kod të ri zgjedhor nuk kanë filluar akoma. Edhe pse ishin paralajmëruar të fillonin që në muajin maj, jo të gjitha partitë politike janë të gatshme të ulen në një tryezë për këtë temë në këtë moment. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se VMRO-DPMNE-ja nuk emërton anëtar të saj për të qenë pjesë e grupit të punës.

    “Ministria e Drejtësisë disa herë ka dërguar kërkesë deri të VMRO-DPMNE-ja të propozojë anëtar në grupin e punës që të mund të ketë legjitimitet gjithë procesi dhe të mos kontestohet nga askush, por përgjigje nuk kemi marrë, as pozitive as negative. Ministria e Drejtësisë nuk heq dorë nga ideja e një Kodi të ri zgjedhor, dhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të kërkojë që VMRO-DPMNE-ja të emërojë një anëtar në grupin e punës”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

    Alsat drejtoi pyetje në VMRO-DPMNE, se përse nuk nominon një anëtar, por nuk morëm përgjigje. E ndërkohë, përgjigje nuk morëm as nga LSDM-ja e cila deklarativisht gjithmonw ka thënë se është e gatshme për fillimin e negociatave.

    Edhe Aleanca për Shqiptarët e pranon se bisedimet në këtë drejtim kanë ngecur dhe se është i nevojshëm konsensusi.

    “Tani për tani nuk kemi diçka. Prej moti diskutohet për ndryshimin e Kodit zgjedhor por do të duhet një konsensus më i gjerë mes katër partive më të mëdha, kështu ka qenë rregull gjithmonë kur është ndryshuar Kodi zgjedhor. Ne kemi pasur njerëz të deleguar, ekspertë të lëmisë, por diku puna u ndërpre dhe tani nuk jemi thirrur për të diskutuar”, tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

    Kodi aktual zgjedhor ka pësuar mbi 30 ndryshime që nga përpilimi fillestar i tij. Institucionet që merren me zbatimin e zgjedhjeve thonë se ai është bërë jokoherent dhe i vështirë për t’u zbatuar. OSBE-ODIHR-ja prej kohësh këmbëngul për një ligj të ri për zgjedhjet i cili do të përmbante në vete edhe rekomandimet e kësaj organizate ndërkombëtare. Listat e hapura, votimi i diasporës, financimi i fushatës zgjedhore dhe monitorimi i mediave janë disa nga çështjet më të përfolura të procesit zgjedhor në vend, për të cilat kërkohet zgjidhje. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Transportuesit shpresojnë se Qyteti i Shkupit do ua paguaj paratë për të cilat kanë punuar

    Lajmi i rradhës

    Ministria e punës dhe politikës sociale hesht, çerdhet “Rinia” në Tetovë me mungesë stafi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë