Nxënësit e Bërnjarcës në bojkot, Komuna e Gazi Babës nuk ua lejon mësimin në shkollë

    Erolinda, Albina, Rilindi dhe Amari nuk i’u gëzuan fillimit të vitit të ri shkollor. Bashkë me 60 moshatarët e tyre nga fshati Bërnjarcë do ta bojkotojnë mësimin sepse kështu kanë vendosur prindërit e tyre. Këto të fundit thanë se fëmijët nuk do ta ndjekin procesin mësimor në shkollat e Haraçinës derisa kreu i komunës Gazi Babës, Boris Georgievski nuk lejon që këta fëmijë mësimin ta ndjekin në shkollën periferike të fshatit Bërnjarcë.

    “Kushtetuta e Maqedonisë i’a siguron çdo nxënësi shkollimin aty ku gjendet. Ne e kemi një pyetje deri te  politikanët tanë, pavarësisht se cilët, athua fëmijët tanë nuk i takojnë kësaj kushtetute apo çka është problemi me ta. Ne kërkojmë zgjidhje për këta fëmijë përndryshe tërë vitin do ti lëmë në bojkot dhe nuk do ti sjellim në shkollë”

    “Aty e kemi shumë afër shkollën e Bërnjarcës, vetëm familja ime 15 fëmijë i kemi në shkollë që janë dhe të tjerët që do të regjistrohen. Duhet gratë të vijnë në shkollë dhe tërë ditën ti presin fëmijët në shkollë, e fëmijët tjerë atje nuk kanë kujt t’ia lënë”.

    “Unë personalisht nuk e lëshoj fëmijën në shkollë pa u hap shkolla në Bërnjarc ose të na sigurojnë transportin. Këto fëmijët tanë a nuk janë fëmijë sikur të tjerët, çka është ky problem”.

    Drejtori i shkollës fillore “Skënderbeu” në Haraçinë, Azem Aki tha se komuna e Gazi Babës duhet të mbajë përgjegjësi për mësimin që do ta humbin këto fëmijë. Ai shtoi se tashmë ka kryer të gjitha përgatitjet për të punuar edhe në shkollën e fshatit Bërnjarcë.

    Ne i kemi leju mirëpo nuk dëshirojnë të jenë në këtë shkollë. Të gjitha shpenzimet, kuadrin arsimor ne do ta dërgojmë vetëm se dëshirojmë ta kemi objektin, vetëm tu ndihmojmë nxënësve tonë”, tha Azem Aki, drejtor i sh.f “Skënderbeu” Haraçinë.

    Për këtë problematikë sot nuk morëm përgjigje nga komuna Gazi Babë. Mirëpo, ditë më parë kreu i saj Georgievski tha për Alsat se nuk mund ta lejojë përdorimin e shkollës nga nxënësit në fjalë për shkak të protokolleve shëndetësore për mësim. Në shkollën periferike “Kërste Misirkov” në fshatin Bërnjarcë mësojnë pak nxënës në paralelet në gjuhën maqedonase. Pasi përfundimit të mësimit të këtyre nxënësve shkolla mbyllet ndërkohë që rreth 60 nxënës shqiptarë që jetojnë në këtë fshat detyrohen që mësimet t’i ndjekin në shkollat e Haraçinës.

    Në ditën e parë të shkollës protestuan edhe prindërit dhe nxënësit e fshatit Idrizovë të cilët kërkojnë mësim në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë, në shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri. Në vitin 2019, Komuna e Gazi Babës refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe në këtë shkollë. Më pas mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshatit. Mirëpo vendimi për shkollë të re mbeti vetëm në letër. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq: Nga 4 shtatori Kosova fillon lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

    Lajmi i rradhës

    Kush është i dërguari i ri i DASH-it për Ballkanin Perëndimor?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë