Pavarësisht se në shumë shkollat profesionale janë funksionale paralelet për mësim dual, pra edhe mësim praktik edhe teorik, megjithatë kjo nuk mjafton që nxënësit që përfundojnë shkollimin fillor të interesohen për shkollat profesionale, por mjekësia mbetet destinacion i preferuar për semimaturantët tetovarë. Deri më tani në shkollat e mesme të Tetovës janë regjistruar mbi një mijë nxënës.
Në të dy afatet paraprake në qershor dhe korrik, ku aplikimi ishte në mënyrë online gjithsej janë regjistruar 1013 nxënës, respektivisht 829 nxënës me mësim në gjuhën shqipe, 175 nxënës me mësim në gjuhën maqedonase dhe nëntë me mësim në gjuhën turke. Sikurse në të kaluarën edhe këtë këtë vit, interesimi më i madh është për regjistrim në shkollën e mesme të mjekësisë.
“Dyfish më shumë se numri i paraparë për regjistrim janë paraqitur në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë. Mirëpo këtë vit ne si themelues, si komunë, kemi mbajtur kritere që ata nxënës që kanë plotësuar pikët për regjistrim, në shkollën e mesme të mjekësisë janë pranuar, ndërsa ata që nuk kanë plotësuar kushtin apo nuk kanë pasur pikët e mjaftueshme në shkollën e mesme të mjekësisë nuk janë pranuar”, deklaroi Nazmi Dauti, përfaqësues e Sektorit për Arsim në komunën e Tetovës.
Në ndërkohë, apelohet tek prindërit dhe fëmijët, që ata që nuk kanë pikë të mjaftueshme që të orientohen në shkollat profesionale, sepse ka mjaft drejtime atraktive.
“Apelojmë tek nxënësit që nuk kanë mundur të pranohen në shkollën e mjekësisë apo nuk kanë mundur të regjistrohen në gjimnazin ‘Kiril Pejçinoviç’ shkaku i mosarritjes së kuotës, të drejtohen në shkollat tjera, siç është Gjimnazi ‘7 Marsi’, shkolla e mesme Ekonomike dhe shkolla e mesme Tekstile. Do të ketë edhe një afat tjetër gjatë muajit gusht përmes sistemit online dhe pasi të pranohen do të dorëzojnë edhe dokumentet me prezencë fizike”, sqaroi Dauti.
Ndërkaq, edhe nga komuna e Tetovës e pranojnë se interesimi mbetet i vogël për shkollat profesionale.
“Për fat të keq interesimi mbetet i vogël në këto shkolla. Në shkollën e mesme Tekstile, kemi të pranuar 67 nxënës në të dy afatet, që është një numër shumë i vogël. Mirëpo, mendojmë se nxënësit që nuk kanë arritur që të sigurojnë numrin e mjaftueshëm të pikëve në dy afatet e para në shkollën e mesme të mjekësisë dhe në Gjimnazin ‘Kiril Pejçinoviç’ do të orientohen në këto shkolla profesionale” theksoi Nazmi Dauti.
Pavarësisht apeleve dhe politikave të ndryshme që drejtimet profesionale të jenë atraktive megjithatë edhe kjo nuk jep rezultate, pasi që orientim kryesor i semimaturantëve mbetet shkolla e mesme e mjekësisë. /Koha/