OKB-ja i kërkon Rusisë të paguajë kompensim Kievit për luftën në Ukrainë

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj në Ukrainë, duke miratuar një rezolutë ku thuhet se Rusia i detyrohet Ukrainës dëmshpërblim.

    Rezoluta, e votuar pro nga 94 nga 193 shtetet anëtare të asamblesë, tha se Rusia, e cila nisi pushtimin e Ukrainës fqinje në shkurt, “duhet të mbajë pasojat ligjore të akteve të saj të paligjshme ndërkombëtarisht, duke përfshirë kompensimin për dëmtimin”.

    Rezoluta, e cila nuk është detyruese, por ka peshë politike, propozon që shtetet anëtare, në bashkëpunim me Ukrainën, të krijojnë një regjistër ndërkombëtar për të mbledhur prova dhe pretendime kundër Rusisë.

    Ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kislicja, i tha Asamblesë së Përgjithshme përpara votimit, se Rusia sulmoi gjithçka, nga fabrikat deri te ndërtesat e banimit dhe spitalet.

    “Ukraina do të ketë detyrën e frikshme për të rindërtuar vendin dhe për t’u rikuperuar nga kjo luftë, por ajo rimëkëmbje nuk do të jetë kurrë e plotë pa një ndjenjë drejtësie për viktimat e luftës. Është koha për të kërkuar llogari nga Rusia”, shtoi Kislicja.

    Ambasadori rus në OKB, Vasili Nebenzja, para votimit tha se dispozitat e rezolutës janë ligjërisht të pavlefshme, duke kërkuar të votohet kundër saj.

    Katërmbëdhjetë vende votuan kundër rezolutës të hënën, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Iranin, dhe 73 vende abstenuan, përfshirë Brazilin, Indinë dhe Afrikën e Jugut. Jo të gjitha vendet votuan. 

    Lajmi Paraprak

    Stresi nxit sëmundjet

    Lajmi i rradhës

    Pesë destinacionet e mundshme të Ronaldos, nëse largohet në janar nga United

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë