OKB: që nga maji, mbi 1.700 të vrarë teksa po prisnin për ndihma në Gazë

    Palestinezët presin vakte të shpërndara nga një organizatë bamirëse në Gaza City, Gaza të hënën Ali Jadallah/Anadolu/Getty Images

    Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha të premten se të paktën 1.760 palestinezë janë vrarë teksa po kërkonin që të merrnin ndihma humanitare në Rripin e Gazës që prej fundit të majit.

    “Që nga 27 maji e deri më 13 gusht, ne kemi regjistruar të paktën 1.760 palestinezë të vrarë teksa po kërkonin të merrnin ndihma. Prej tyre, 994 u vranë në afërsi të qendrave të Fondacionit Humanitar për Gazën [GHF] dhe 766 përgjatë rrugëve ku kalojnë kamionët me ndihma. Shumica e këtyre vrasjeve u kryen nga ushtria izraelite”, tha zyra e agjencisë së OKB-së për territoret palestineze.

    Më 1 gusht, kjo zyrë kishte raportuar për 1.373 të vrarë.

    Përditësimi i të dhënave vjen pasi agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se të paktën 23 persona u vranë nga Izraeli të premten, përfshirë 12 persona të cilët po prisnin për ndihma humanitare.

    Më herët gjatë javës, shefi i ushtrisë izraelite tha se janë miratuar planet për ofensivën e re në Gazë. Ofensiva ka për synim mposhtjen e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe lirimin e pengjeve të mbetura.

    Ushtria izraelite synon të marrë nën kontroll Qytetin e Gazës dhe kampet e refugjatëve që gjenden në afërsi. Këto janë disa nga zonat më të populluara të Rripit të Gazës, që ka pësuar shkatërrime të mëdha gjatë 22 muajve luftë.

    Planet e qeverisë izraelite për të zgjeruar luftën kanë nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare, si edhe kundërshtime në Izrael.

    Ekspertë të mbështetur nga OKB-ja kanë paralajmëruar për uri të thelluar në Gazë, ku Izraeli ka kufizuar ndjeshëm sasinë e ndihmës humanitare që lejon të hyjë në këtë territor.

    një uri të përhapur që po zhvillohet në territor, ku Izraeli ka kufizuar ndjeshëm sasinë e ndihmës humanitare që lejon të hyjë.

    Lufta nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

    Ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 61.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi – shifra që OKB-ja i konsideron të besueshme. /REL/

    Lajmi Paraprak

    fDi: RMV e gjashta në botë pë investime të huaja

    Lajmi i rradhës

    Përfundon takimi Trump-Putin në Alaskë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë