Onkologjia, do të kërkohet zgjerim i hetimit

    VMRO-DPMNE-ja kërkon zgjerimin e periudhës së hetimit për rastin e Klinikës së Onkologjisë, në kuadër të Komisionit hetues pas dëshmive që një ditë më parë i publikoi kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski, i cili akuzoi se keqpërdorimi i terapive vazhdon edhe sot. Një kërkesë të tillë komisioni planifikon ta bëjë deri te plenumi.

    “Njohuritë e reja për rastin e Onkologjisë e imponojnë nevojën që të hulumtohen të gjitha informacionet dhe të vazhdojë afati për punë i komisionit dhe të zgjerohet periudha të cilës komisioni i përkushtohet, përfshirë edhe periudha prill 2023 të cilës i takon raporti i Fondit Shëndetësor. E vërteta për mafian kancer patjetër të zbardhet. Përgjegjësi për “mishin e huaj” në shëndetësi do të ketë, me emër dhe mbiemër”, tha Rashella Mizrahi, VMRO-DPMNE.

    E ndërkohë, në kushtet aktuale, komisioni e kishte ditën e fundit të dëgjimit të dëshmive. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, i ftuar të dëshmojë për herë të dytë, tha se kushdo që ka dëshmi të tjera për Onkologjinë, duke aluduar në kreun e opozitës Mickoskin, t’i dorëzojë ato në prokurori.

    “E rëndësishme është që për secilën procedurë që ndiqet, nëse cilido qytetarë ka çfarëdo dëshmish, ato dëshmi t’i dorëzojë deri në Prokurorinë Publike dhe në këtë mënyrë të ndihmojë hetimin. Sigurisht se nëse ekzistojnë dëshmi dhe nuk i dorëzojnë te organet hetuese do të thotë fshehje e dëshmive. Si dhe nëse ekzistojnë dëshmi dhe i publikojnë si dokumente që janë pjesë e lëndës kjo nënkupton komprometim i dëshmive dhe procedurës”, theksoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

    I ftuar për herë të dytë, ish ministri Venko Filipçe nuk ju përgjigj pozitivisht ftesës së dytë të komisionit, duke thënë se nuk ka asgjë tjetër për të shtuar. Filipçe javë më parë, para komisionit, tha se nuk ka pasur njohuri për keqpërdorim terapish në Onkologji.

    “Dhënia e dëshmive nga shumë njerëz të cilët janë të përfshirë dhe kanë qenë pjesë e sistemit të punës së Klinikës së Onkologjisë kanë hapur pyetje të reja për ish ministrin Venko Filipçe. Prandaj mendoj se mungesa e tij mund të cilësohet si tregues pa jogatishmërinë e tij për t’u përgjigjur në pyetjet plotësuese për skandalin. Cili ministër duhet të vijë 2,3 ose 4 herë në këtë komision, nëse jo ministri i Shëndetësisë”, tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

    Zhurmën më të madhe në seancën dëgjimore e cila mund të jetë e fundit, e shkaktoi kryeprokurori Lubomir Joveski. Ai kërkoi nga deputetët të lejojnë prokurorinë të bëjë punën e saj e cila sipas tij, është në fazë kyçe, kurse punën e Komisionit hetues e cilësoi si joligjore dhe jokushtetuese. Joveski i ashpër nga deputetët kërkoi të respektojnë ndarjen e pushteteve. Ky qëndrim i Joveskit nxiti qëndrimin e opozitës.

    “Na lini ta bëjmë punën tonë. Drejtpërdrejt rrezikohet procedura dhe vlefshmëria e dëshmive gjë që e tha edhe kryetari i Gjykatës themelore. Një hetim paralel është i papranueshëm. Me këtë rrezikohet procedi i hetimeve dhe i jep mundësi mbrojtjes që në gjykatë të kontestojë dëshmitë”, u shpreh Lubomir Joveski, kryeprokuror.

    “Në vend që të shikonit televizor se çfarë kemi fol ne këtu, duhet të kishit punuar dhe të vinit këtu me informacione të gatshme deri ku është hetimi. Mos thoni para opinionit se nuk guxoni, u themi thënë se keni të drejtë dhe keni mundur të kërkoni që seanca të jetë e mbyllur… Nuk do të shpëtoni aq lehtë. Z. Joveski, mos harroni se ne në këtë Kuvend jemi ulur për shkak se jemi përzgjedhur nga qytetarët kurse ju jeni ulur aty si propozim i Zoran Zaevitd he qeverisë”, pohoi Lupço Prenxhov, koalicioni VMRO-DPMNE.

    “Hetim siç parashikon ligji për këtë lëndë do të hapet atëherë kur të vërtetohen vepra penale dhe kryerësit e tyre. Edhe vetë e shihni se ai proces është i komplikuar, është voluminoz, është ndërdisiplinar. Ja të bëjmë krahasim, ju punoni tashmë një muaj dhe akoma s’keni konkluzione as për përgjegjësinë politike”, tha ndër të tjera Lubomir Joveski, kryeprokuror.

    Në rast se plenumi nuk pranon zgjerimin e periudhës së hetimit të Komisionit Anketues, komisioni ka 30 ditë afat të shqyrtojë faktet e deritanishme dhe të sjell konkluzione me të cilat pritet të vërtetojë përgjegjësinë politike për keqpërdorimin e terapive të kancerit në Klinikën e Onkologjisë./ Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Me amnistinë e Llogës do të liroheshin 286 persona dhe 960 do të përfitonin liri të pjesshme

    Lajmi i rradhës

    Stuhia godet Shqipërinë dhe Malin e Zi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë