Një mijë gra të diagnostikuara me kancer gjiri brenda një viti, shtatë mijë pacientë në trajtim aktiv onkologjik dhe pritje që, për disa ekzaminime, zgjasin deri në pesë muaj. Pas këtyre shifrave qëndrojnë mijëra beteja personale me sëmundjen, por edhe një sistem shëndetësor që përballet me presion gjithnjë e më të madh. Ndërsa mjekësia po avancon dhe pacientët po jetojnë më gjatë falë terapive bashkëkohore, sfidat me furnizimin e barnave, mungesën e personelit dhe përqendrimin e shërbimeve në Shkup vazhdojnë të rëndojnë mbi të sëmurët. Decentralizimi i trajtimit onkologjik shihet si një nga zgjidhjet, por pacientët kërkojnë garanci se trajtimi jashtë kryeqytetit do të jetë po aq i sigurt dhe cilësor.
Këto të dhëna u prezantuan nga Shoqata “Hema-onko”, gjatë aktivitetit të organizuar në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, me moton “Mëngjes me Hema-onko”. Ngjarja iu kushtua pacientëve, punonjësve shëndetësorë dhe nevojës për ndërtimin e një sistemi më gjithëpërfshirës të kujdesit onkologjik.
Sipas shoqatës, vetëm gjatë vitit të kaluar janë diagnostikuar rreth një mijë paciente me kancer të gjirit, ndërsa aktualisht në Klinikën e Onkologjisë trajtohen në mënyrë aktive rreth shtatë mijë pacientë me sëmundje të ndryshme malinje. Këto shifra dëshmojnë për përmasat e nevojave për trajtim, ndërsa njëkohësisht nxjerrin në pah domosdoshmërinë e forcimit të kapaciteteve shëndetësore, sigurimit të vazhdueshëm të terapive dhe lehtësimit të qasjes së pacientëve në shërbimet specialistike.
TERAPI TË REJA, POR EDHE VONESA NË FURNIZIM
Drejtori i Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë, profesor doktor Igor Stojkovski, bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë futur barna të reja për trajtimin e pacientëve me kancer, veçanërisht për ata me kancer të gjirit. Sipas tij, është rritur edhe numri i pacientëve që marrin terapi specifike, gjë që ka ndikuar në përmirësimin e rezultateve të trajtimit.
Megjithatë, zgjerimi i mundësive terapeutike shoqërohet me rritje të vazhdueshme të nevojave financiare dhe organizative. Stojkovski pranoi se herë pas here mund të ketë vonesa të vogla në sigurimin e terapive, kryesisht për shkak të problemeve në shpërndarjen e barnave. “Ndonjëherë terapia mund të vonohet minimalisht për shkak të mangësive në shpërndarje”, deklaroi ai, duke shtuar se distributorët farmaceutikë janë të vetëdijshëm për pasojat që vonesat mund të shkaktojnë te pacientët.
Për të krijuar më shumë siguri në furnizim, Klinika po shqyrton mundësinë e prokurimeve trevjeçare për një pjesë të terapive onkologjike. Sipas Stojkovskit, një model i tillë mund të zbatohet gjatë procedurës së ardhshme të prokurimit publik, të planifikuar për vitin 2027. Ai theksoi se kërkesat për mjete financiare po rriten nga viti në vit, jo vetëm për shkak të shtimit të pacientëve, por edhe për shkak të përmirësimit të rezultateve të mjekimit. Pacientët që jetojnë më gjatë falë terapive moderne kanë nevojë për trajtim për periudha më të gjata, çka nënkupton edhe shpenzime më të mëdha për sistemin shëndetësor.
DECENTRALIZIMI, ZGJIDHJE PËR MBINGARKESËN E KLINIKËS?
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte decentralizimi i shërbimeve onkologjike, proces që është paralajmëruar prej vitesh, por që ende nuk është realizuar plotësisht. Aktualisht, pjesa më e madhe e pacientëve vazhdojnë të orientohen drejt Klinikës së Onkologjisë në Shkup, duke krijuar ngarkesë të konsiderueshme për personelin mjekësor dhe kapacitetet ekzistuese.
Stojkovski njoftoi se një pjesë e shërbimeve konsultative dhe specialistike tashmë kanë filluar të ofrohen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup. Sipas tij, procesi do të vazhdojë në faza, ndërsa synohet që shërbimet onkologjike të zgjerohen edhe në spitalet e Manastirit dhe Shtipit. “Vazhdojmë edhe këtë vit dhe shpresojmë që edhe vitin e ardhshëm një onkolog nga Shkupi të shkojë në Spitalin Klinik të Manastirit. Kjo është ajo që mund të bëjmë për të mirën e pacientëve dhe për të lehtësuar pjesërisht ngarkesën në Klinikë”, deklaroi Stojkovski. Por decentralizimi, sipas përfaqësuesve të pacientëve, nuk duhet të nënkuptojë vetëm zhvendosjen fizike të terapive nga një institucion në tjetrin.
PACIENTËT KËRKOJNË SIGURI, JO VETËM ZHVENDOSJE TË TERAPISË
Ana Marjanoviq nga Shoqata “Hema-onko” theksoi se pacientët e mbështesin decentralizimin, por vetëm nëse ai shoqërohet me kushte të përshtatshme, personel të përgatitur dhe siguri të plotë gjatë trajtimit. “Nuk është çështja vetëm që të merret terapia, por të sigurojmë që çdo pacient që nuk do të jetë në Klinikën e Onkologjisë ta marrë atë në mënyrë të sigurt”, deklaroi Marjanoviq. Ajo shpjegoi se mbingarkesa e Klinikës lidhet me mungesën e personelit, por edhe me besimin që pacientët nga qytete të ndryshme kanë ndaj specialistëve të përqendruar në Shkup.
Për këtë arsye, Shoqata ka dorëzuar disa kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë, duke insistuar që decentralizimi të zhvillohet paralelisht me forcimin e kapaciteteve profesionale në spitalet rajonale.
Një zhvillim pozitiv, sipas Marjanoviqit, është funksionimi i bordit tumoral, përkatësisht ekipit multidisiplinar që vendos për trajtimin e mëtejshëm të pacienteve të diagnostikuara. Ajo theksoi se digjitalizimi mund të mundësojë që mendimi i specialistëve të Klinikës së Onkologjisë të jetë i qasshëm edhe për qendrat e tjera shëndetësore. Në këtë mënyrë, pacientët do të mund të marrin terapinë më afër vendbanimit, ndërsa vendimet për trajtimin e tyre do të vazhdojnë të mbështeten në vlerësimin e ekipeve të specializuara.
DERI NË PESË MUAJ PRITJE PËR PET-SKANIM
Ndërkohë, përtej planeve për decentralizim dhe futjes së terapive të reja, pacientët vazhdojnë të përballen me vështirësi konkrete në diagnostikim dhe ndjekjen e sëmundjes. Një pacient që po trajtohej në Klinikën e Onkologjisë deklaroi për mediat se për realizimin e ekzaminimit PET-skanim pritet nga katër deri në pesë muaj. Sipas dëshmisë së tij, në vend është vetëm një aparat për këtë ekzaminim, i cili ka qenë jashtë funksionit për shkak të servisimit për një periudhë prej dy deri në tre muajsh. Këto pretendime të pacientit nxjerrin në pah një tjetër shqetësim të rëndësishëm: qasjen në kohë në diagnostikim, i cili luan rol vendimtar në planifikimin dhe ndjekjen e trajtimit onkologjik.
Për pacientët, pritja nuk është thjesht një çështje administrative apo organizative. Ajo shpesh shoqërohet me pasiguri, ankth dhe shqetësim për ecurinë e sëmundjes.
Nga Shoqata “Hema-onko” theksojnë se, megjithëse numri i rasteve të reja po rritet, njëkohësisht po shtohet edhe numri i pacientëve që mbijetojnë falë përparimit të mjekësisë dhe trajtimeve moderne.
Megjithatë, kjo kërkon një sistem më të organizuar, më shumë investime dhe një qasje që pacientin ta vendosë në qendër të kujdesit shëndetësor. Sepse përballë një diagnoze të rëndë, beteja e pacientit nuk duhet të jetë edhe me radhët e gjata, mungesën e barnave apo pritjen për një ekzaminim. Sfida e institucioneve është që përparimi i mjekësisë të mos mbetet vetëm në statistika, por të përkthehet në trajtim të sigurt, të vazhdueshëm dhe në kohë për secilin pacient. /Koha/




