Opozita: Mos vaksinimi i regjistruesve, operacioni statistikor nuk mund të mbahet

    Regjistrimi i popullsisë mbetet peng i kushteve të marrëveshjes mes dy liderëve të bllokut politik maqedonas, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se është herët të flitet nëse do të realizohet regjistrimi, por thonë se pa kushtet e dala nga takimi i liderëve, sigurisht që nuk do të ketë regjistrim.

    Në atë takim u shty regjistrimi dhe u notuan disa çështje të cilat duhet përfunduar para se të fillojë regjistrimi. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Duhet përfundojnë të gjitha obligimet e dala nga marrëveshja, që më pas të mbahet regjistrimi. Që tani nuk mund ta dimë në cilën fazë është përgatitja e regjistrimit, por kushtet e dala nga marrëveshja duhet përmbushur me doemos – tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

    Opozita shqiptare vlerëson se regjistruesit e pa vaksinuar nuk mund ta realizojnë procesin. Sipas tyre, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë duhet që brenda muajit të ardhshëm ta kryejnë vaksinimin e regjistruesve edhe atë me prioritet.

    Optimumi i krejt këtij aktiviteti është që 60-70 për qind e popullatës të marrin edhe dozën e dytë deri në shtator sepse ka indikacione për një valë të katërt e cila për ne mund të jetë katastrofale. Nëse brenda një muaji nuk vaksinohen ata që duhet ta bëjnë regjistrimin, ata nuk do të jenë të gatshëm për ta realizuar regjistrimin e popullatës – thonë nga ASH-AAA.

    Nga Enti Shtetëror i Statistikës thonë se konkursi për angazhimin e regjistruesve të terrenit dhe instruktorëve rajonal duhet të përsëritet në gjysmën e dytë të korrikut sepse përzgjedhjet që u bënë për regjistrimin që duhej të mbahej në prill nuk vlejnë më. Ky institucion thotë se nuk do të ketë kohë për vaksinimin e tyre. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Filipçe: Nuk ka nevojë për masa restriktive, gjendja është nën kontroll

    Lajmi i rradhës

    Ambientalistët reagojnë në lidhje me betonizimin e liqenit të Ohrit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë