Opozita shqiptare nuk mbështet ndryshimet kushtetuese nëse nuk zgjidhet çështja e 20%-shit

    Opozita shqiptare nuk do të jetë pjesë e procesit të ndryshimeve Kushtetuese, nëse nuk është pjesë e këtyre ndryshimeve edhe heqja e 20% për gjuhën shqipe. Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli thotë se deklaratat e krerëve të BDI-së dhe ASh-së se fokusi nuk duhet të jetë tek 20%, janë të pakuptimta. Ai thotë se ndryshmet kushtetuese bëhen shumë rrallë dhe tani është momenti kur duhet të zgjidhet edhe kjo çështje.

    “Nuk mund t’i kuptoj deklaratat edhe të kryetarit të BDI-së edhe të funksionarëve të tjerë të ASH-së… Ministri i drejtësisë formon edhe grup pune dhe thotë se po çështja e 20% do të jetë pjesë e debatit në këtë grup pune, por më në fund konkluzionet e grupit të punës që shkojnë në qeveri nuk kanë të bëjnë me 20%… Do të thotë është një keqpërodrim që i bëhet kësaj teme nga ana e funksionarëve të lartë të dy partive shqiptare që janë në pushtet, por në esencë përfundon me tenderë, me interesa të ngushtë të funksionarëve dhe grupeve të interesit të tyre”, Fadil Zendeli, Lëvizja BESA.

    Nga Alternativa thonë se nuk shohin asnjë arsye që synimi gjeopolitik të jetë më i rëndësishëm se interesi i qytetarëve të vendit dhe gjuha shqipe të vazhdojë të quhet me termin ofendues “20%”.

    “Atyre që u pengon lufta kundër korrupsionit dhe emri i gjuhës shqipe i bie se frikësohen për të kaluarën e tyre dhe nuk u bën përshtypje se identiteti ynë kombëtar e gjuhësor duhet të jetë i poshtëruar. Nëse kjo qeveri nuk është e gatshme për këto kërkesa, ky është lajm shumë i keq për të”, thonë nga Alternativa.

    Por ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga thotë se nuk do të heqin dorë nga heqja e 20%, por njëherë duhet konsensus mes partive maqedonase për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë.

    “Shqiptarët nuk mund të heqin dorë nga kërkesat që formulimi 20% të ndryshohet dhe të bëhet gjuha shqipe. Tash atë që e kemi thënë, prioritet mbetet preambula për të cilën presim konsensus. Në momentin e parë që arrihet ky konsensus me partitë politike maqedonase, ne menjëherë pas kësaj do të kërkojmë që me këto ndryshime kushtetuese, por ndoshta edhe para këtyre ndryshimeve kushtetuese, që kjo të arrihet”, deklaroi Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.

    Ndërsa kreu i BDI-së Ali Ahmeti disa ditë më parë tha se 20% nuk cenon Marrëveshjen e Ohrit, andaj i gjithë investimi bëhet për ndryshimet Kushtetuese.

    “20% nuk e cenon substancën e Marrëveshjes së Ohrit. A është 20% a është shqiptar substanca nuk ndryshon. Kështu që ne jemi të përkushtuar për ndryshimet kushtetuese dhe gjithë investimi në këtë drejtim shkon që kjo edhe të ndodh”,u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Heqja nga Kushtetuta e termit 20% për gjuhën shqipe është premtim elektoral i partive shqiptare për rreth dy dekada. Ky proces u anashkalua edhe gjatë ndryshimeve kushtetuese në vitin 2017, kur pas marrëveshjes me Greqinë, vendi ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Si duhet të ushqehet një person anemik, këshilla e nutricionistëve

    Lajmi i rradhës

    VMRO-ja lë një derë të hapur për LSDM-në | Mickoski: Pres Kovaçevskin të përcaktohet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë