VMRO-ja lë një derë të hapur për LSDM-në | Mickoski: Pres Kovaçevskin të përcaktohet

    VMRO-DPMNE-ja është duke lënë dhe një derë të hapur për pushtetin, nëse ai është i gatshëm të pranojë ndonjërin nga propozimet e partisë opozitare për ndryshimet kushtetuese. Në të kundërt, Mickoski e konsideron si çështje të mbyllur duke thënë se është konstatuar se shumica nuk ka 80 vota pa mbështetjen e partisë së tij.

    “Ai duhet të deklarohet në emër të LSDM-së nëse është ai që e ka fjalën e fundit. Nëse jo, atëherë ai që e ka fjalën e fundit. Le të thonë a është ai Ali Ahmeti dhe BDI-ja, apo dikush tjetër nga partia e tij, kush është relevant që të mund të flasim me të. I kanë dy opsione në tavolinë, kur të përcaktohet për njërën prej tyre atëherë mund të hymë në fazën tjetër të negociatave”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Deri sa Mickoski pret përgjigjën e LSDM-së, kjo e fundit pret Mickoskin, të caktojë ekip i cili do të vazhdojë negociatat.

    “E zgjatëm dorë dhe e filluam dialogun dhe tani është radha e Hristijan Mickoskit që dialogu të vazhdojë. Mickoski e ndryshoi qëndrimin dhe pranoi ndryshime kushtetuese, pranoi pjesëmarrje në një qeveri të zgjruar dhe të përbashkët me LSDM-në dhe pranoi se kjo përbërje parlamentare ka mandat për ndryshime kushtetuese. Këto përafrime janë bazë e mirë që dialogu për të gjitha detajet dhe propozimet të vazhdojë me ekipe, gjegjësisht me grupe pune”, tha Martin Kostovski, LSDM.

    Nga ky ngërç që po vazhdon për më shumë se 10 ditë duket se nuk ka zgjidhje tjetër. Kreu i opozitës propozon zgjedhje të reja.

    “Zgjidhje janë zgjedhjet. Është e qartë se zgjedhjet janë zgjidhje dhe kjo është gjëja më e logjikshme që mund të ndodhë për momentin”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    VMRO-DPMNE si opsione propozon qeveri të zgjeruar pa BDI-në dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do të hynë në fuqi me anëtarësimin e plotë në BE si dhe opsioni i dytë, zgjedhje të parakohshme në vjeshtë dhe garanci nga institucionet evropiane për mbrojtjen e identitetit maqedonas, fonde dhe zbatim të tre vendimeve të Gjykatës së Strazburgut për të drejtat e maqedonasve në Bullgari.

    Lëshimi i vetëm që është e gatshme të bëjë LSDM-ja deri tani është shtyrja e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese në ditën e konferencës së dytë ndërqeveritare në fund të vitit. Gjithashtu partia e Kovaçevskit ofron ndarje të resorëve të saj ministror në numër të barabartë me VMRO-në.

    BDI-ja është e gatshme të dalë nga qeveria në ditën kur ndryshimet kushtetuese të hynë në fuqi, në rast se kjo ndodh e shumta në ditën e konferencës së dytë ndërqeveritare por kushti i saj është hetim i partive politike dhe politikanëve. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Opozita shqiptare nuk mbështet ndryshimet kushtetuese nëse nuk zgjidhet çështja e 20%-shit

    Lajmi i rradhës

    Shaqiri kërkon përgjegjësi për shpërndarjen e testit të maturës shtetërore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë