Opozita shqiptare: viti 2024 do të sjellë ndryshimin e shumëpritur në RMV

    Fotografia: AP

    Lëvizja Besa

    Viti që lëmë pas për ne si shqiptarë ishte me shumë sfida dhe probleme. Për fat të keq, ikja e të rinjve, intelektualëve dhe kuadrove profesionist nuk u ndal, por vetëm po rritet. Për çdo ditë shtohet edhe numri i familjeve që hyjnë në varfëri. E gjithë kjo falë politikave të pushtetit aktual, me të cilat, populli po varfërohet ndërsa politikanët po pasurohen.

    Të gjithë e dimë se arsimi po shkatërrohet, numri i kazinove po rritet, mjekët po braktisin vendin, pushtetarët po blejnë vila dhe makina luksoze, biznesit me vështirësi po sigurojnë paga për të punësuarit e tyre, por familjarët e ministrave dhe liderëve të partive në Qeveri po blejnë qendra tregtare dhe merren me biznese ilegale.

    Me keqardhje konstatojmë se vitin që lëmë pas, është viti më i errët në historinë tre dekadëshe të Maqedonisë së Veriut. Qytetarët nuk dëgjuan e nuk panë asgjë përveç se krim, korrupsion, shkatërrim të institucioneve dhe sistemit.

    Gjithë kësaj do i vijë fundi së shpejti. Lëvizja BESA si parti opozitare në vazhdimësi dëshmon se jemi me popullin dhe për popullin. Veprat tona dhe përkushtimi dëshmohet në menaxhimin e Komunës së Tetovës dhe Zhelinës.

    Për më pak se dy vite, ne kemi punuar dhjetë fish më shumë se që kanë punuar të gjithë kryetarët e këtyre Komunave në këto tre dekada. Dhjetëra miliona euro për asfaltimin e rrugëve dhe hapjen e bulevareve, zgjidhëm problemin e ujit të pijshëm, në fund është zgjidhja e problemit me mbeturinat. Ulim në mënyrë të vazhdueshme borxhin e Komunës së Tetovës dhe lirojmë hapësirat publike. Tetova së shpejti do të ketë edhe Stadiumin modern të Qytetit.

    Por nuk duhet të ndalemi këtu. Sepse të gjithë qytetarët meritojnë të kenë jetë më të mirë, nga Kumanova e deri në Strugë dhe Manastir. Të gjithë duhet të kemi jetë europiane.

    Andaj bëmë një hap edhe më të madh. U bashkuam dhe formuam Lidhjen Europiane për Ndryshim. Dhe viti që vjen, do të jetë vit i ndryshimit, të cilin do e sjellim bashkërisht. Viti 2024 është viti kur të gjithë tokë do të largojmë të keqen dhe do i dërgojmë në histori ata që, në vend të Europës zgjodhën Rusinë e Serbinë, dëbojnë popullin çdo ditë, shkatërrojnë sistemin e shtetit vetëm që të mbajnë pushtetin.

    Derisa ata vazhdojnë të “luftojnë” për të kapur çdo institucion të shtetit për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme, ne po marrim mbështetje edhe më të fuqishme nga qytetarët. E bashkërisht do të arrijmë në fitoren historike, që do të na çojë në Bashkimin Evropian dhe do të kthejë SHPRESËN dhe DINJITETIN tonë.

    Alternativa (AAA)

    Vitin që po e lëmë pas ka qenë një vit i mbushur me plot ngjarje dhe momente që herë na kanë lumturuar e herë na kanë dëshpëruar. Megjithatë, po e përfundojmë vitin duke pasur mundësi që shqiptarëve t’u themi se ne e dëgjuam zërin e tyre dhe u bëmë bashkë për t’i përfaqësuar në mënyrën më të mirë.

    Prandaj, viti që vjen – 2024 – do të jetë vit i kurorëzimit të këtij uniteti dhe festë e shumëpritur për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

    Le të jetë ky urimi im për vitin që vjen, duke uruar që 2024-ta të jetë vit i mbarë dhe i mbushur me plot suksese në planin individual, kombëtar e shtetëror.

    Lëvizja Demokratike (LD)

    Vitin që po e lëmë pas, ishte një vit shumë i vështirë. Bashkërisht ishin dëshmitarë të vështirësive ekonomike, sociale, arsimore.

    Ishim dëshmitarë të fuqizimit të korrupsionit dhe krizës së madhe në sundimin e ligjit.

    Ishim dëshmitarë të kapjes së shteti nga një grusht njerëzish, të cilët mendojnë vetëm për vete. Ndaj, ishte e pashmangshme nevoja për një ndërgjegjësim, sidomos të shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

    Para një grupi të vogël që mendonte ndryshe, u imponua një dilemë esenciale: të pajtohem me realitetin e keq apo të fillojmë të mendojmë për ndryshimin. Dhe lindi Lëvizja Demokratike, që përcaktoi një synim të qartë: ta kthejmë shpresën dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

    Viti 2023 do të mbahet në mend si vit i dështimit të plotë të garniturës aktuale qeverisëse, edhe atë në çdo aspekt. Pavarësisht premtimeve të ndryshme, dështimi u pa si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.

    Nuk u realizua asnjë premtim për mirëqenie shëndetësore, sociale e ekonomike. Përkundrazi. Edhe më shumë u përkeqësua gjendja në arsim, sidomos arsimi në gjuhën shqipe.

    Fatkeqësisht, ministrat shqiptarë më shumë u angazhuan për zhvatjen e tenderëve, për jetësimin e lojërave të fatit dhe hapjen e pikave të kredive të shpejta, të cilat shkatërruan shumë fate njerëzish.

    U pa qartë se po errësohej perspektiva e të rinjve, të cilët me të madhe kërkuan shpëtim në shtetet perëndimore. Ikën edhe mijëra familje, kurse kjo u reflektua në pakësimin drastik të numrit të nxënësve shqiptarë.

    Ndonëse akoma zëra nga BDI proklamojnë se shqiptarët po e përjetojnë parajsën, megjithatë, ne patëm kurajon t’i detektojmë të gjitha problemet, por edhe të ofrojmë zgjidhje. Politika e Lëvizjes Demokratike është e orientuar thjesht drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe krijimit të një mjedisi më të ndershëm dhe më të pasur për të gjithë.

    Të nderuar, bashkëqytetarë,

    Viti që vjen do të jetë vit i zgjedhjeve të reja parlamentare, do të jetë viti i ndryshimit. Por, një ndryshim i vërtetë kërkon përpjekje të përbashkëta, kërkon pjesëmarrje aktive të të gjithëve jo vetëm për të sjellë ndryshimin, por edhe për ta ngjallur shpresën.

    Lëvizja Demokratike gjithnjë e më shumë po fuqizohet. Tash jemi një grup i madh, në të cilin janë përfshirë shumë të rinj që mendojnë ndryshe, që e dinë të vërtetën.

    Ju inkurajoj të na bashkoheni për t’i dhënë fund keqqeverisjes dhe krijimit të kushteve për një jetë me dinjitet.

    Me besim te bashkëpunimi dhe me shpresë për një të ardhme më të mirë, gëzuar Vitin e Ri 2024.

    Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

    Lajmi Paraprak

    RMV, qytetarët nuk kanë pritshmëri për vitin 2024

    Lajmi i rradhës

    Më 2024, sytë kah normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë