Osmani: Mbështesim aspiratat e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO

    Maqedonia e Veriut mbështet fuqishëm politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe aspiratën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në Aleancë, tha sot ministri i Jashtëm Bujar Osmani para fillimit të takimit joformal ministror të vendeve anëtare të Traktatit të Atlantikut të Veriut në Berlin.

    “Kemi çështje thelbësore dhe jam i bindur se të gjithë aleatët do të tregojnë unitet për të gjithë, sepse kjo është vendimtare duke pasur parasysh ndryshimin e situatës së sigurisë. Maqedonia, si anëtarja më e re e NATO-s, mbështet fuqishëm politikën e dyerve të hapura, e me këtë edhe aspiratën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në Aleancë, që është një hap i rëndësishëm për sigurinë e përgjithshme euroatlantike”, tha Osmani.

    Osmani gjithashtu theksoi se Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e pashmangshme e arkitekturës së ardhshme evropiane të sigurisë.

    “Kështu, politika e dyerve të hapura të NATO-s dhe zgjerimi i BE-së si dy shtylla kryesore në të cilat mbështetet, do të jenë pjesë e konceptit të ri strategjik”, tha ministri Osmani.

    Ndryshe, fokusi i takimit dy-ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s në Berlin është pushtimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë dhe implikimet e mundshme të luftës ndaj aleatëve, si dhe samiti i ardhshëm i liderëve të Aleancës në Madrid.

    Lajmi Paraprak

    Ismail Kadare: “Haxhi Murati”, kryevepra e fundit e Tolstoit

    Lajmi i rradhës

    Guliyev: Maqedonia e Veriut do të marrë kryesimin e OSBE-së në momentin më sfidues të saj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë