Me 67 vota “për”, 13 “kundër” dhe asnjë të përmbajtur, Parlamenti në seancën plenare e përcaktoi nevojën për miratimin me procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Me këtë, zgjidhja ligjore kaloi fazën e parë dhe kyçe të procedurës parlamentare. Qëllimi i ndryshimeve të propozuara është thelbësor, shfuqizimi i modelit të qeverisë kalimtare, përkatësisht teknike, e cila prej vitesh ishte vendosur si mënyrë për organizimin e proceseve zgjedhore. Në arsyetimin e propozuesit, përkatësisht Qeverisë, theksohet se zgjidhja e re ligjore do të sigurojë stabilitet më të madh, siguri juridike dhe mbrojtje të interesit publik.
Pushteti vlerëson se ka ardhur koha që institucionet ta marrin të gjithë përgjegjësinë, pa nevojën e marrëveshjeve ad-hoc politike që e rëndonin funksionimin e shtetit. “Në kushte kur partitë politike janë të drejtuar në përparimin e kornizës ligjore zgjedhore, përmes fuqizimit të mbikëqyrjes së procesit zgjedhor, institucionet e pavarura në vendosjen e mekanizmave të qartë dhe efikas për kontroll dhe sanksionim të keqpërdorimeve eventuale gjatë kohës së procesit zgjedhor, krijohen kushte për eliminimin e shkaqeve objektive për të cilat ishte vendosur modeli i qeverisë teknike”, theksoi zv/ministri i administratës publike, Llaze Jakimovski.
Ai theksoi se për shkak të nevojës së shfrytëzimit racional dhe me përgjegjësi të mjeteve financiare publike, fuqizimit të stabilitetit institucional dhe sigurimin e legjitimitetit të plotë të Qeverisë, propozim-ligji do të garantojë zgjedhje fer dhe demokratike. Me këto ndryshime planifikohet eliminimi i zgjidhjeve të deritanishme të përkohshme të vendosura me marrëveshje politike, me çka i jepet fund praktikës së qeverive teknike, ndërsa fokusi vendoset te veprimi institucional i garantuar me Kushtetutë dhe ligjet.
LSDM: AI QË KËRKOI VAZHDIMIN E QEVERISË TEKNIKE ISHTE VET MICKOSKI!
Kundër propozimit të këtij ligji ishte LSDM. Gjatë reagimit procedural në seancë, deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, rikujtoi se Qeveria teknike ishte sjellë me konsensus të plotë nga katër partitë më të mëdha politike atëherë dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtarë. Spasovski gjithashtu theksoi se në vitin 2018 ishte miratuar ligji me të cilin vazhdohej të zbatohet modeli i qeverisë kalimtare, me kërkesë të VMRO-DPMNE-së. “Me kërkesën tuaj ishte vendosur që qeveri kalimtare të ketë deri në hyrjen e vendit në Bashkimin Evropian. Sot këto qëndrime që i deklaroni si shkak për miratimin e propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeveri janë krejtësisht jorelevante me kërkesat tuaja që i keni pasur në vitin 2018”, theksoi Spasovski.
Ai tha se Ligji për Qeveri është pjesë e listës së ligjeve të agjendës reformuese dhe nuk guxon të miratohet me procedurë të shkurtuar. “Mendoj se nuk ka nevojë për të shpejtuar në aspekt të miratimit të zgjidhjes ligjore. Të kthehemi në formatin në të cilin diskutojmë për këtë çështje, e cila në kërkesë të kryetarit tuaj të sjellë si zgjidhje ligjore, të cilën e kemi edhe tani dhe në konsensus me partitë politike dhe me dialogun përsëri ta kthejmë”, theksoi Spasovski.
Ndaj procedurales së Spasovskit, reagoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, i cili reagimin e Spasovkit e cilësoi si reagim paniku. Micevski tha se argumentet e Spasovskit nuk qëndrojnë. “Miratimi i këtij ligji ka filluar qysh nga 20 janari, kur ministri i administratës, Goran Minçev, na mbledhi të gjithë partitë politike, na i dha ligjin që ta shqyrtojmë dhe të diskutojmë për ndryshimet eventuale të cilat mundet të ndodhin, për shkak se edhe në mënyrë formale dhe joformale u pajtuam se qeveria teknike është zgjidhje e tejkaluar dhe se ajo duhet të ndryshohet”, theksoi Micevski.
Ai tha se VMRO-DPMNE edhe në kohën kur ka qenë opozitë ka kërkuar heqjen e qeverisë së Përzhinës. “Po, është në procedurë të shkurtë, por do të ketë kohë për të dorëzuar amendamente të caktuara, për të diskutuar dhe në fund për tu votuar kjo zgjidhje ligjore në seancë plenare. Nëse doni të impononi mendimin se jemi përsëri në vitin 2016 dhe se duhet përsëri të ulemi diku dhe të diskutojmë në lidhje me këtë çështje, e keni gabim. Nuk shoh shkak për këtë reagim me panik nga ana juaj”, tha Miceski, i cili tha se me vet faktin se kemi kryer procesin e post-monitorimit të Bashkimit Evropian tregon qartë se nuk ka nevojë për të pasur ende qeveri teknike.
BDI: QEVERIA TEKNIKE TË MOS HIQET PA NDËRMJETËSIMIN E FAKTORIT NDËRKOMBËTAR
Ndërkohë partitë shqiptare pushtet-opozitë qëndruan të heshtur për sa i përket debatit rreth këtij Propozim Ligji. Fronti Evropian kërkoi pauzë një orësh për të shqyrtuar propozimin në fjalë, ndërsa gjatë seancës plenare ku u votua nevoja për miratimin e propozim ligjit për Qeveri nuk u deklaruan fare.
Megjithatë, deputetja e Frontit Evropian, Arbana Pasholli, e pyetur gjatë konferencës për media, nëse BDI do të mbështesë heqjen e qeverisë teknike, u deklarua se BDI në parim nuk do të mbështesë propozim ndryshimet ligjore për qeverinë, për faktin se qeveria teknike është arritur me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar. “Sa i takon Ligjit për Deputetë dhe Ligjit për Qeverinë, në parim nuk do t’i mbështesim, sepse e para, kjo shumicë parlamentare të gjitha Propozim-Ligjet të cilat janë me rëndësi po i vendos me procedurë të shkurtuar. Edhe e dyta, sa i takon Ligjit për Qeverinë, diçka që është arritur me marrëveshje politike dhe mbështetje të faktorit ndërkombëtarë, do të duhet të zhbëhet po në të njëjtën formë, me marrëveshje politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtarë”, theksoi Pasholli.
Përndryshe, Propozim-Ligji për Qeverinë parasheh heqjen e modelit të qeverisë kalimtare, i cili ishte dakorduar me Marrëveshjen e Përzhinës në vitin 2016. Megjithatë, sipas këtij ligji, qeveria teknike do të zbatohet edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa më pas ky model do të shfuqizohet plotësisht. /Koha/






