Pabarazia gjinore në tregun e punës – Çka tregojnë të dhënat?

    Për së paku trembëdhjetë vjetët e fundit në Kosovë, tregu i punës është dominuar nga burrat – qoftë sa i përket shkallës së punësimit, drejtimit të bizneseve apo pagave që marrin.

    Të dhënat e Anketave të Fuqisë Punëtore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) – e fundit e publikuar më 31 gusht – tregojnë se gjatë tre vjetëve të fundit është rritur dallimi mes shkallës së punësimit të burrave dhe grave në Kosovë.

    Nga viti 2020 deri në vitin 2022, 6.6 për qind burra më shumë kanë hyrë në tregun e punës, në krahasim me rritjen për 4.3 për qind të numrit të grave.

    Dallimi në shkallën e punësimit të grave dhe burrave në Kosovë vërehet te të gjitha grup-moshat. Dallimi më i madh shihet te grup-mosha nga 35 deri në 44 vjeç.

    Të dhënat e ASK-së tregojnë se një pjesë e madhe e grave në Kosovë bëhen nëna pikërisht në moshën nga 35 deri në 44 vjeçe.

    Statistikat e publikuara nga ASK-ja ndër vite gjithashtu tregojnë se, në çdo nivel të arsimimit, burrat kanë më shumë gjasa të punësohen sesa gratë. Megjithatë, dallimi është më i vogël në kategorinë e grave dhe burrave që posedojnë diplomë universitare.

    Kjo mund të sinjalizojë një ndryshim në tregun e punës në vitet e ardhshme, pasi që të dhënat e Universitetit të Prishtinës tregojnë se dukshëm më shumë vajza ndjekin arsimimin e lartë. Ky dallim është rritur me kalimin e viteve.

    Megjithatë, dallim i ndjeshëm vërehet edhe në mesin e burrave dhe grave që janë të vetëpunësuar. Dukshëm më shumë burra janë të vetëpunësuar në Kosovë sesa gra – qoftë me punonjës, apo si punëtorë të vetëm të biznesit që ata drejtojnë.

    Një statistikë që ka mbetur pothuajse konstante gjatë dekadës së fundit në Kosovë, është dallimi në shkallën e punësimit të djemve dhe vajzave në moshën nga 15 deri në 24 vjeç.

    Përveç dallimit në shkallën e punësimit, në tregun e punës vërehet edhe një dallim në punët që kryejnë burr
    dhe gratë në Kosovë. Por, tregtia është sektori që punëson përqindjen më të madhe të të dyja gjinive.

    Të gjitha këto dallime mes burrave dhe grave në tregun e punës në Kosovë kanë çuar deri te pabarazia gjinore edhe sa u përket pagave që marrin. Viti 2018 është hera e vetme kur kishte përqindje të barabartë të burrave dhe grave që paguheshin nga 500 euro në muaj ose më shumë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    OBSh kërkon “qasje të plotë” nga Kina për të përcaktuar origjinën e Covid-it

    Lajmi i rradhës

    Rusia dhe Ukraina përballen në Gjykatën Botërore për rastin e gjenocidit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë