Çmimet rriten, shpenzimet shtohen, ndërsa të ardhurat për shumë familje mbeten të njëjta. Nga ushqimet dhe faturat deri te shpenzimet e tjera të përditshme, qytetarët çdo muaj përballen me të njëjtën dilemë: si t’i mbulojnë të gjitha nevojat me të ardhurat që kanë. Por, a po arrijnë familjet t’ia dalin deri në fund të muajit dhe nga çfarë janë detyruar të heqin dorë? Për të përballuar ushqimin, faturat dhe nevojat e tjera bazë, qytetarët thonë se paga minimale duhet të jetë më e lartë, pasi me të ardhurat aktuale nuk mund të mbijetojnë.
Qytetar
“Çfarë të të them? E shikon që nuk jemi mjaftueshëm mirë. Pensionet janë minimale, pagat janë minimale dhe me këto nuk mund të mbijetojmë. Jo vetëm për shkak të kësaj, por edhe për shkak të rritjes së çmimeve, qoftë në dyqane, qoftë në supermarkete. Me një pagë mund të jetosh vetëm për të ngrënë, ndërsa duhet të paguash edhe rrymën, telefonin dhe shumë gjëra të tjera. Situata është shumë e vështirë.”
Tutje, ai thotë se “duhet të ndryshojë standardi i jetesës”, duke shtuar se shteti duhet të marrë masa.
Qytetar
“Duhet të ndryshojë diçka. Duhet të rriten pensionet, të rriten pagat. E di vetë sa shumë kërkon një familje: shkollimi, fëmijët dhe të rinjtë. Fëmija nuk mund të shkojë në shkollë pa 100 denarë, e lëre më për autobus apo për të blerë një gjevrek apo diçka tjetër. Duhet të ndryshojë standardi i jetesës. Shteti duhet të ndikojë që çmimet e artikujve bazë në supermarkete të ulen, në mënyrë që qytetarët të mund t’i përballojnë nevojat minimale dhe që pagat, pensionet dhe të ardhurat e tjera të jenë në një nivel më normal.”
“Standard shumë i lartë, paga shumë të vogla” – kështu thonë qytetarët, duke vlerësuar se, me shpenzimet aktuale, paga minimale nuk është e mjaftueshme.
Qytetar
“Faturat, shpenzimet… Një rrogë është pak, po në kohën e sotme edhe dy janë pak. E si ia dalim në fund, vetëm Zoti e di. Ato gjërat normale duhet patjetër t’i blejmë. Në kohën e sotme, çfarë të thuash është tepër, se paga minimale është shumë e ulët. Edhe 50.000 denarë janë pak në kohën e sotme, me gjithë shpenzimet që janë. Për një familje, nën 50.000 denarë janë shumë pak. Edhe me 50.000 denarë, me ato pagesa dhe shpenzime që janë, janë pak.”
Qytetar
“Jo, nuk mjaftojnë. Janë shumë të ulëta, shpenzimet janë shumë të larta dhe pagat duhet të rriten. Minimumi duhet të jetë diku 600 euro. Në Maqedoni pagat janë shumë të ulëta. Të jetë populli i kënaqur me pagat, të mund të blejë çfarë të dojë.”
Qytetar
“Nuk besoj. Rritje. Standard shumë i lartë, rrogat shumë të vogla. Për një familje katëranëtarëshe, 1.500 euro.”
Qytetare
“Po, normalisht që nuk janë. Normalisht, edhe të shëtiturit është bërë luks. Duhet të përmirësohet standardi i jetesës, sepse standardi i punëtorit është shumë i ulët. Kjo duhet të ndryshojë.”
Ndërkaq, kujtojmë se, sipas të dhënave të LSM-së, shporta minimale sindikale për muajin shtator arrin në 69 mijë e 432 denarë, 757 denarë më shumë krahasuar me muajin gusht. Vetëm për ushqim dhe pije, një familjeje katëranëtarëshe i nevojiten mbi 25 mijë denarë, ndërsa, nëse llogaritet edhe qiraja për një banesë prej 60 metrash katrorë, shuma mujore arrin në 84 mijë e 807 denarë.
Përballë këtyre shpenzimeve, qytetarët kërkojnë të ardhura më të larta dhe një pagë minimale që do t’u mundësonte t’i mbulonin më lehtë nevojat bazë të muajit. /TVShenja/




