Pagat e ulëta i dekurajojnë të rinjtë në RMV të zgjedhin profesionin e mësuesit

    Pagat e ulëta, puna e gjerë administrative në arsim, si dhe mosrespektimi i profesionit mësues, bëjnë që nga viti në vit gjithnjë e më pak studentë të regjistrohen në lëndët matematikë, kimi, fizikë dhe biologji. Ka shkolla që përballen me mungesë mësuesish të IT-së, ndaj shpesh improvizohet dhe lënda jepet nga mësues të tjerë që nuk kanë arsimin e duhur. Biseduam me disa profesorë universiteti se si të përmirësohet kjo gjendje dhe të ulet deficiti, në mënyrë që studentët të kenë orë mësimore cilësore, shkruan Meta, përcjell Nistori.

    Profesion i zhvlerësuar

    Dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës prof. Dr. Aleksandar Skeparovski vlerëson se ky imazh dhe praktikë mund të ndryshojë nëse përmirësohet qëndrimi i shoqërisë ndaj profesionit të mësuesit, i cili disi është zhvlerësuar.

    “Interesi për të studiuar përgjithësisht është në rënie, jo vetëm në matematikë por edhe në fizikë, kimi e biologji. Disa nga këto studime, përkatësisht disa lloje të studimeve që konsiderohen deficitare, si fizika, matematika dhe kimia janë shpërblyer me bursa. Studentët marrin një shumë solide 300 euro në muaj, 9 muaj të vitit. Ajo praktikë filloi diku para 10 vitesh dhe kishte efekt, por ndoshta jo aq sa kanë pritur njerëzit në MASH, të cilët e kanë zbatuar atë”, tha profesori Skeparovski.

    Prof. Dr. Gjorgji Markoski nga Instituti i Matematikës është i mendimit se shkak i interesimit të ulët për profesionin e mësuesit të matematikës, janë pagat e ulëta.

    “Kolegët e mi të matematikës më thonë se ndjejnë padrejtësi në raport me lëndët e tjera. Një nga padrejtësitë është se matematikani kontrollon deri në 200 teste dhe punime të shkruara çdo muaj. Ata janë të mbingarkuar me punë, gjë që nuk ndodh me lëndët e tjera, ndërsa në fund e marrin të njëjtën pagë dhe kjo i demotivon. Prandaj ndodhë që matematikanët të largohen nga arsimi dhe gjejnë punë në banka, në kompani sigurimesh”, thotë prof. Markoski.

    Një mori obligimesh administrative

    Prof. Dr. Marina Stojanovska nga Instituti i Kimisë thotë se në drejtimin pedagogjik studiojnë gjithsej tetë studentë.

    “Gjendja nuk është kështu vetëm sivjet. Kemi pak studentë, edhe pse këtu është me rëndësi të kemi më shumë studentë. Gjëja më e rëndësishme nuk është të mësojnë kimi, sepse pritet atë ta dinë paraprakisht, por është me rëndësi që të dinë ta zbatojnë atë në praktikë. Kjo është pikërisht ajo që ne e ushtrojmë në fakultet. Është me rëndësi që studenti të dijë më pas ta përcjellë atë në mjedisin shkollor. Nuk është bukur kur punohet me dy-tre studentë, prandaj një segment i rëndësishëm i ligjëratave është pjesa që ne e quajmë hospitime, ku studentët ligjërojnë mësime në vend të mësuesit”, thotë prof. Stojanovska.

    Edhe ajo e thekson se është problem që mësuesit kanë shumë përgjegjësi administrative dhe nuk kanë kohë të jenë krijues dhe të punojnë me nxënësit e tyre. E tregoi një shembull prej para pak kohësh, kur një student i saj i sapo diplomuar ishte punësuar menjëherë në shkollë, sepse thjesht ka mungesë të mësuesve.

    “Nëse dikur profesorët e diplomuar nuk mund të punësoheshin me vite, tani punësimi i tyre shkon menjëherë”, shtoi ajo.

    Paga në industri është më e lartë se ajo shtetërore

    Shkollat përballen edhe me mungesë serioze të profesionistëve të IT-së, sepse industria paguan shumë më tepër se paga shtetërore.

    “Ne kemi një drejtim pedagogjik që e ofrojmë në FINKI, veçanërisht për mësuesit e shkollave të mesme. E ofrojmë, por numri i studentëve që regjistriohen në atë fushë është dhjetë herë më i vogël se në degët e tjera. Maturantët nuk zgjedhin të shkojnë atje, por në drejtime të tjera. E dinë se pagat komerciale në industri janë më të larta se pagat shtetërore. Nuk mund të luftojmë me industrinë. Ajo që është e rëndësishme është që të gjithë nxënësit të kenë njohuri të IT-së, pasi do t’u nevojiten në të gjitha profesionet. Në mungesë të stafit, ndoshta duhet të trajnohen profesorë nga fusha të tjera, të cilët do të jenë në gjendje të ofrojnë arsim cilësor të informatikës”, tha prof. Dr. Ivan Çorbev, Dekan i FINKI-t.

    Lajmi Paraprak

    Në një kishë të Shtimes shfaqen grafite me shkronjën “Z”

    Lajmi i rradhës

    Arrestohen dy gra lypsare në Shkup, dyshohen për keqpërdorim të fëmijëve të tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë