Heqja e arsimit mbi barazinë gjinore sensitive në arsimin fillor vazhdon të mbetet ndër kërkesat kryesore të Iniciativës qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë”. Sociologu, Ali Pajaziti vlerëson se materia e barazisë gjinore senzitive duhet t’u mësohet fëmijëve, por duhet të kihet kujdes me kontekstin apo përmbajtjen e përshtatshme për moshën dhe mjedisin e tyre. Sipas Pajazitit, theksi duhet vënë në barazinë gjinore dhe në kapërcimin e stereotipeve: “i fortë”-“e butë” ose “zotërues”-“e zotëruar”. Sipas tij, patriarkalizmin duhet kapërcyer, duke afirmuar ‘femërinë e dytësuar’ por gjithnjë duke pasur parasysh diferencat e bashkëlindura mashkull-femër.
Shikuar sociologjikisht mësimi për kategoritë si “seksualiteti jokonvencional”, LGBT-ja, “prindi 1”, “prindi 2” në moshë të njomë krijon mjegullnajë në psikologjinë dhe shëndetin psikik të fëmijëve të klasave të ulëta, dhe në kontekstin e shoqërisë sonë e cila është konservatore dhe tradicionaliste. Shkolla e mesme ose universiteti janë nivele më të përshtatshme për tematika të tilla. Sipas “Le Figaro” Republikanët Francezë amendamentin për “prindin 1 dhe 2” e kanë cilësuar si “një gjë që nuk korrespondon me realitetin”, kur dihet se 95 % e bashkësive ligjore frënge përbëhen nga çiftet mashkull-femër – tha Ali Pajaziti, sociolog.
Dragana Spasevksa nga Iniciativa qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë” tha se arsimi I barazisë gjinore sensitive në arsimin fillor duhet të jetë zgjedhore dhe jo i imponuar.
Nëse, ne duhet ti mësojmë fëmijët në mos diskrimin dhe pranimin e diversiteteve, atëherë këtë duhet ta bëjmë që ti pranojnë fëmijët me pengesa dhe nevoja të veçanta dhe jo ti mësojmë për ndryshimet që na imponohen. Askush, nga ne prindërit nuk kërkoi që të deklarohemi nëse dëshirojmë që fëmijët tanë të mësojnë një gjë të tillë.. Para se gjithash nuk përshtatet mosha, por edhe nëse kjo duhet të mësohet le të jetë zgjedhore. Nuk guxon t’u imponohet një tematikë e tillë në një moshë të caktuar – u shpreh Dragana Spasevska, “Libra dhe mësim patjetër të ketë”.
Ditë më parë, Komisioni parlamentar për sistem politik refuzoi nismën për referendum lidhur me ndryshimet në arsim. Nisma u refuzua për shkak se nuk ishte e kompletuar dhe nuk kishte nënshkrimet e duhura. Për ta ripërtërirë nismën e njëjtë, nga iniciativa “Libra dhe mësim patjetër të ketë”, kanë paralajmëruar mbledhjen e nënshkrimeve në datat 25, 26 dhe 27 Maj në Shkup dhe Manastir ndërsa të mërkurën më 26 maj kanë paralajmëruar protesta të reja në të gjitha qytetet e vendit. /Alsat/