Paraburgim për tre policët e Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe

    Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë – dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, më 14 qershor.

    Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

    Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

    Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

    Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

    Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

    “Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara”, tha ai.

    “Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, shtoi Kurti.

    Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet ta dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Rama: Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk do të jetë përgjithmonë në tryezë

    Lajmi i rradhës

    VIDEO SKANDALOZE / Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici marrëdhënie seksuale në zyrën e Bashkisë – pas publikimit të videos dha dorëheqje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë