Këshilli i Komunës së Dibrës në seancën e fundit ka miratuar unanimisht vendimin për hapjen e një paraleleje të veçantë për nxënësit me nevoja ndryshe në Shkollën Fillore Komunale “Penestia”, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Kjo shkollë është njëherësh institucioni më i madh arsimor fillor në komunë. Vendimi i hap rrugë organizimit të mësimit në një paralele të dedikuar, në përputhje me kërkesat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me synimin për të ofruar mbështetje më të strukturuar dhe efikase për këta nxënës.
Duke arsyetuar propozimin para këshilltarëve komunalë, Armina Sharku nga Sektori për Arsim pranë pushtetit vendor theksoi se kërkesa për hapjen e një paraleleje të tillë vjen si rezultat i rritjes së numrit të fëmijëve me nevoja ndryshe në komunë.
“Kemi shqetësime të mëdha për shkak të rritjes së dukshme të numrit të fëmijëve me aftësi ndryshe. Aktualisht janë 33 fëmijë në moshë shkollore, prej të cilëve 31 ndjekin mësimin në shkollën ‘Penestia’, ndërsa nga një nxënës ka në shkollën ‘Said Najdeni’ në Dibër dhe në shkollën ‘Riste Ristevski’ në fshatin Kosovrast i Poshtëm. Për këtë arsye propozojmë që paralelja e veçantë të hapet pikërisht në ‘Penestia’”, deklaroi Sharku.
Sipas saj, pas vendimit të Këshillit, pritet që institucionet kompetente të ndërmarrin hapat konkretë për funksionalizimin e paraleleve. Ajo bëri të ditur se tashmë janë angazhuar tre asistentë të arsimit, të cilët do të përfshihen në procesin mësimor dhe janë kuadro me përvojë shumëvjeçare në punën me nxënës me nevoja ndryshe. Gjatë debatit në Këshillin komunal u theksua nevoja që paralelja të hapet sa më shpejt, pasi aktualisht këta nxënës janë të shpërndarë në klasa të ndryshme, ndërsa efektet e mësimdhënies nuk janë në nivelin e dëshiruar. Këshilltarët vlerësuan se organizimi në një paralele të veçantë do të mundësojë qasje më të specializuar dhe rezultate më të mira në procesin arsimor.
Në diskutim u ngrit edhe çështja e rritjes shqetësuese të numrit të fëmijëve me nevoja ndryshe në komunë. U theksua se kjo dukuri kërkon trajtim më të strukturuar dhe analizë të thelluar nga institucionet kompetente. Drejtoria e çerdhes së vetme në Dibër, “Breshia”, ka theksuar disa herë se edhe në nivel parashkollor është evidentuar rritje e numrit të fëmijëve me nevoja ndryshe. Pushteti vendor ka paralajmëruar angazhim maksimal për të përshpejtuar hapjen e paraleleve, me qëllim sigurimin e kushteve më të mira arsimore për këtë kategori nxënësish. /Koha/






