Parkingjet në kate në Tetovë vetëm një premtim i Kasamit

    Qyteti i Tetovës vazhdon të përballet me mungesë të vendeve të parkimit. Shpesh herë, temë kryesore në zgjedhjet lokale ka qenë pikërisht premtimi për zgjidhjen e këtij problemi por deri më tani ende nuk ka asgjë konkrete. Premtimet kanë qenë se do të ndërtohen parkingje në kate që do të ishte një lehtësim për problemin me mungesën e vendeve të parkimit në rrugët e Tetovës, por gjithnjë arsyetimi është se ka probleme me procedurat dhe me planin urbanistik. Së fundmi, për këtë problem është pyetur kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    Ai thotë se nuk është çështje që varet vetëm nga ana e komunës, por bëhet fjalë për hapësira që komuna duhet t`i ketë në dispozicion, që më pas të bëhet plan për ndërtimin e tyre.

    “Në këtë rast ne nuk kemi ndonjë hapësirë të lirë të cilën mund ta ofrojmë në partneritet publik privat apo të shohim mundësinë për ndërtimin e parkingjeve në kate. Ende jemi në kërkim të hapësirave të tilla, apo me ndryshimet e planeve urbanistike të kemi hapësira që më pas në variantin e partneritetit publiko –privat ta zhvillojmë një projekt të tillë”, tha Kasami.

    Kreu i komunës së Tetovës thotë se dinamika e hapjes së vendeve të reja të parkingjeve të mbyllura dhe të hapura vazhdon.

    “Sa i përket parkingjeve në kate jemi në procedurë të gjetjes së lokacionit apo lirimit të lokacioneve aktuale të cilët në Plan Detal Urbanistik janë të parapara për parkingje në kate. E dimë se një e tillë është hapësira para Veros, ku kundër ligjit ka kërkesë për privatizim dhe është e bllokuar dhe nuk mund ta vendosim në procedurë për ndërtimin e garazheve në kate. Një vend tjetër është afër sallës së sportit në qendrën sportive, ku ka ende probleme në procesin e legalizimit. Ende nuk mund të gjejmë zgjidhje ligjore të cilët varen nga komuna e Tetovës”, tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    Përderisa nuk gjenden hapësira, vozitësit në Tetovë do të vazhdojnë të përballen me mungesën e gjetjes së një vendi për parkim. kjo situatë më e rëndë është në rrugët kryesore, afër tregut të gjelbër por edhe në pjesë tjera, sidomos afër institucioneve ku në mungesë të vendeve të parkimit, shpesh herë qytetarët parkohen në reshta të dyfishtë duke shkaktuar edhe probleme shtesë me kaosin në qytet.

    Dhe, përderisa komuna e Tetovës ende është në kërkim të lokacioneve për ndërtimin e parkingjeve në kate, komuna e Gostivarit sipas njoftimeve ka paraparë që të ndërtojë tre parkingje të tilla. Dy parkingjet tjera do të fillojnë të ndërtohen pasi që të merret leja adekuate. Punimet për parkingun e parë tashmë kanë filluar ndërsa pritet të përfundojnë brenda dy muajve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    “Pa drita, pa shtretër, pa barna”, rrëfime nga mjekët në Gazë

    Lajmi i rradhës

    A janë të gjithë emigrantë në Rutën Ballkanike?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë