A janë të gjithë emigrantë në Rutën Ballkanike?!

    Nëse pak ditë më parë presidenti francez Emanuel Makron deklaronte gjatë samitit në Tiranë se ka “një rikthim të këtij terrorizmi islamist dhe të gjithë ne jemi të pambrojtur”, gazeta italiane Il Tempo e aktualizoi sërish temën e Ballkanit “si një inkubator potencial i një kërcënimi terrorist për Evropën” , për shkak të rrugës ballkanike përmes së cilës emigrantët e paligjshëm arrijnë në Evropë.

    Sipas Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare – Frontex vetëm në tetë muajt e parë të këtij viti nëpër rutën e Ballkanit kaluan 52 mijë migrantë të paligjshëm. Pas gjithë paralajmërimeve të fundit ngrihet pyetja nëse ruta ballkanike përbën rrezik që të sjellë kërcënime radikale dhe terroriste në Evropë, veçanërisht pas ngjarjeve në Izrael, që rezultuan me rivendosjen e kontrolleve kufitare nga më shumë vende evropiane? Sipas ministrit të punëve të brendshme, Oliver Spasovski, të gjitha zhvillimet që në nivel gjeostrategjik sjellin ndryshime, po ashtu ndikojnë seriozisht në gjendjen e sigurisë dhe në rajon.

    “Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencia e Inteligjencës janë në komunikim të vazhdueshëm me MPB, të gjitha me synimin për të ruajtur sigurinë e qytetarëve tanë dhe të shtetit, por edhe për të ndikuar në stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Kemi pasur sfida të tilla edhe më herët, kur është fjala për ekstremizmin e dhunshëm, radikalizmin, terrorizmin, me të cilat shërbimet e sigurisë u përballën me sukses. Këtë po e bëjmë tani në vazhdimësi”, deklaroi Spasovski për mediat.

    Supozohet se njëzet celula xhihadiste ekstremiste po veprojnë aktualisht në territorin e Ballkanit dhe qëllimi i tyre janë sulmet terroriste në të gjithë Evropën. Alarmi që vjen nga shërbimet italiane të inteligjencës vëren se shumica e grupeve të tilla gjenden në territorin e Kosovës, Shqipërisë dhe BH-së, por edhe në Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, që përfaqësojnë “inkubator të kërcënimeve të sigurisë” për të gjithë Evropën. Sipas gazetës italiane celulat terroriste ekzistojnë prej rreth dy vitesh, por kohët e fundit, veçanërisht që nga fillimi i luftës në Izrael, vërehet aktiviteti i tyre i shtuar.

    Celulat përbëhen nga rreth 500 të kthyer nga ISIS, nga fushat e betejës në Siri dhe Irak, por anëtarë të rinj po rekrutohen vazhdimisht, madje edhe mes emigrantëve që kalojnë përmes rrugës ballkanike për në Evropën Perëndimore. Shërbimet italiane të inteligjencës paralajmërojnë se “karakteristikat kryesore të grupeve janë rrjetet transnacionale dhe ndëretnike, shpesh me lidhje evropiane”. Ata pohojnë se ekziston rreziku i madh që këta persona të dalin drejt Evropës.

    Vetëm vitin e kaluar në rrugën ballkanike kanë kaluar gati 150 mijë emigrantë. Nga janari deri në gusht të këtij viti kanë ardhur 52 mijë të reja. Ata kalojnë nëpër rrugë të njohura tokësore dhe përmes grupeve të trafikimit të qenieve njerëzore, duke rënë lehtësisht në kontakt me ekstremistët. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, numri i zbulimeve të kalimeve të parregullta kufitare në kufijtë e jashtëm të BE-së arriti në 132.370 emigrantë.

    Sipas përllogaritjeve të Frontex, kjo shifër është 10 për qind më e lartë se periudha e njëjtë e vitit 2022. Mesdheu Qendror mbetet rruga kryesore e migracionit për në BE, duke përbërë gati gjysmën e të gjitha zbulimeve në kufijtë e BE-së në periudhën janar-qershor. Numri i zbulimeve u rrit në pothuajse 65.600, numri më i lartë në këtë rrugë për këtë periudhë që nga viti 2017 dhe gati 140% më shumë se një vit më parë.

    Lajmi Paraprak

    Parkingjet në kate në Tetovë vetëm një premtim i Kasamit

    Lajmi i rradhës

    Rutte nuk e përjashton marrjen e postit të kreut të NATO-s

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë