Parti për çdo mëhallë!

    Kriza politike në vendin tonë përsëri ka ndikuar që të rritet numri i partive politike shqiptare. Së fundmi, dy figura me pozita të larta në dy parti politike kanë paralajmëruar formimin  e dy partive politike. Izet Mexhiti, ish nënkryetar i BDI-së, tani më e ka bërë zyrtare edhe promovimin e partisë së re – Lëvizja Demokratike e cila me 13 gusht do t’i paraqitet opinionit të gjerë. Nga ana tjetër edhe Arijanit Hoxha nga Lëvizja Besa, paralajmëroi formimin e një formacioni të ri politik. Këtë ai e bëri të ditur, menjëherë pas një takimi të Bilall Kasamit me Afrim Gashin dhe Izet Mexhitin. Sipas tij, përmes këtyre veprimeve po legjitimohen figura që nuk kanë peshë politike.

    Ekspertët dhe njohësit e çështjeve politike, formimin e shumtë të partive politike e shohin si mungesë të kulturës politike dhe vizionit te politikbërësit në vendin tonë. Kjo, siç thonë ata, është deformim i një mentaliteti dhe vrapim pas stafetës dhe bajraktarizmit në politikë, i cili nuk shpërfaq interesa të përbashkëta.

    Njohësi i çështjeve politike, Latif Mustafa, për gazetën KOHA, deklaroi se dalja në skenë e shumë partive politike të reja si shkëputje e partive të vjetra me fytyra të konsumuara dëshmon për dy gjëra, servilizmin e përgjithshëm shoqëror dhe humbjen përfundimtare të shpresës në atë shoqëri.

    “Gjithkush llogaritë në ‘mëhallën’ dhe fisin e vet, për të mbajtur atë pak pushtet financiar që ka e votuesit e tyre, të shpresojnë në ato “ndihmesa sociale” që i japin këta aktorë të vjetër që tashmë janë kanë mbledhur ca lekë nën jastëkun e tyre. Po, kjo fazë është, është niveli i parafundit që një shoqëri të përjetojë shembjen e vërtetë dhe të dalë me ide radikale. Është edhe për të ardhur keq, por edhe mirë. Maskat e fundit bien pikërisht në këtë larmi subjektesh ku qytetari është i punësuar dhe i skllavëruar në to”, u shpreh Mustafa.

    Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut, ka nevojë për aktor të guximshëm dhe radikal politik, të cilët nuk bëjnë kompromis për të mirën e përgjithshme sociale e politike.

    Profesori universitar Murat Aliu, për gazetën KOHA, u shpreh se hapësira politike shqiptare si asnjëherë më parë është partikularizuar dhe parcializuar, gjë që për mendimin e tij, shpërfaq mungesë të vizionit dhe në të njëjtën kohë mendësinë lokaliste të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

    “Për më tepër ky fenomen, mendoj që ka të bëjë me papjekurinë e atyre që pretendojnë politikën, pasi që në esencë të këtij fenomeni qëndron shpëtimi i “karrierave personale” e jo e mira e përgjithshme. Nga ana tjetër, formimi i partive të shumta, shpërfaq edhe një realitet tjetër i cili ka të bëjë me ngërçin që ekziston në partitë politikë, kushtim t’i quajmë ‘të mëdha’ në kuptimin që këto parti nuk arrin të prodhojnë politik. Thënë ndryshe ekziston një pakënaqësi në mesin e grupacioneve të caktuara që mendojnë se janë të përjashtuar dhe ndikimi i tyre  politik në parti ose ky ndikim është zhvendosur në një nivel minimal”, ka nënvizuar Aliu.

    Ai gjithashtu tha se si rezultat kemi formimin e partive të shumta politike, gjë që në rrethana dhe kushte të tjera, mbase do të ishin vlerë e shtuar në shoqërinë tonë, por mungesa e kuadrit, vizionit dhe programit politik, më bën të mendoj që këto parti vështirë që do të sjellin diçka të re në hapësirën politike.

    Ndërkaq, ende mbetet e paqartë nëse parti do të formojë edhe deputeti i pavarur Skënder Rexhepi, i cili së fundi deklaroi se në tavolinë janë të gjitha opsionet – nga anëtarësimi në subjekt politik apo një iniciativë e re.

    Ndryshe edhe Aleanca për Shqiptarët është parti e cila ka dalë si fraksion nga PDSH-ja, bashkë me DR-në e Imer Selmanit, derisa edhe Alternativa u formua si një fraksion i Lëvizjes BESA. Këtu nuk duhet të anashkalojmë as Partinë UNITETI të Gëzim Ostrenit, e cila ishte një fraksion i dalë nga BDI. Gjatë 30 vjetëve pluralizëm kemi pasur edhe një numër të madh partish që kanë qenë fraksion i partive tjera por që kanë qenë më jetëshkurtër në skenën politike. Nga ana tjetër, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, para disa kohësh kishte deklaruar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, nuk kanë nevojë më shumë se dy parti. Ai kishte thënë se edhe i vije turp kur takohet me delegacionet e huaja dhe shqiptarët kanë më shumë përfaqësues se maqedonasit. 

    Lajmi Paraprak

    Rrjeti tregtar në RMV shfrytëzon praninë e mërgimtarëve

    Lajmi i rradhës

    Në Maqedoni inflacioni dyfish më i lartë se në BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë