Në Maqedoni inflacioni dyfish më i lartë se në BE

    Sipas një raporti të agjencisë evropiane të statistikave Eurostat inflacioni ka shënuar rënie më të madhe (5.3%) që nga fillimi i vitit 2022 kur kishte arritur në 9%, dhe kjo ka ardhur kryesisht si pasojë e uljes së çmimit të energjisë. Por pavarësisht kësaj, raportet tregojnë se qytetarët anembanë Evropës po e vazhdojnë luftën me çmimet e larta. Inflacioni në 20 vende të Eurozonës në qershorit ishte 5,5%. Për dallim nga vendet evropiane në Maqedoninë e Veriut inflacioni ende ka shifër dyshifrore i cili arrin në rreth 10%, kjo sipas të dhënave më të reja të ESHS-së.

    Sipas statistikave të cilat agjencitë e statistikave i publikojnë për çdo muaj, inflacioni më i lartë në vend është regjistruar në nëntor të 2022 që ka arritur në 19.5% duke e renditur vendin në krye të Evropës. Por sipas ekspertëve problemi është se gjendja me çmimet e larta do të qëndrojë edhe për një kohë të gjatë pavarësisht trendit të rënies. Një pjesë e tyre besojnë se kjo është kështu për shkak të politikave të gabuara ekonomike të cilat e bëjnë vendin të varur nga importi i produkteve ushqimore.

    Sipas analistit ekonomik Visar Ademi ne ende po shohim që Qeveria po shpenzon përtej ekonomisë familjare ndërsa edhe cilësia e këtyre shpenzimeve është shumë e keqe.

    “Kemi shkatërruar prodhimin vendas, e po ti shtosh kësaj edhe politikën kriminale të subvencioneve bujqësore, të tregon se po importon ushqime dhe interesa të larta të inflacionit. Përgjegjëse për këtë natyrisht që është qeveria pasi nuk po reagon si duhet ndaj këtyre dy çështjeve. Para se gjithash, nuk po e mban borxhin publik në nivele normale dhe një nga këto pasoja të inflacionit është pikërisht kjo. Ende po shohim se ajo po shpenzon përtej ekonomisë familjare dhe cilësia e këtyre shpenzimeve është e keqe”, u shpreh Ademi.

    Ekonomia e vendit fillimisht u prek nga pasojat e krizës së Kovid-19 e cila u pasua nga kriza energjetike dhe rritja e saj në bursat botërore pas agresionit rus në Ukrainë e cila kontribuoi edhe në rritjen e çmimeve dhe inflacionit të lartë. Gjatë kësaj periudhë rritje më të madhe pësuan çmimet e ushqimeve dhe energjisë, ndërsa si përgjigje ndaj kësaj qeveria solli disa paketa masash kundër krizës me vlerë mbi 1 miliardë euro për të mbështetur kategoritë e rrezikuara të qytetarëve dhe kompanive. Nga atje rritën pagat e punëtorëve në administratën publike, por në të njëjtën kohë morën edhe disa kredi të cilat e rritën borxhin publik me më shumë se 10%. Ndër masat e fundit të cilat qeveria dëshiron të marrë është taksa e solidaritetit. “Qëllimi i ligjit është që të gjithë të marrin pjesë në shlyerjen e shpenzimeve publike sipas mundësive të tyre ekonomike dhe të kontribuojnë në mënyrë solidare në zbutjen e pasojave të krizës së energjisë dhe të çmimeve”, tha zëvendësministri për Financa Filip Nikollovski.

    Ndërkaq ekspertët ekonomik vlerësojnë se është normale që në një vend me inflacion të lartë, të bie konsumi, por edhe të ketë një lloj politike fiskale e cila nënkupton vendosjen e taksave. Sipas tyre është politik e pasaktë e shtetit vendosja e një takse të re të solidaritetit të cilën do ta paguajë sektori privat dhe në të njëjtën kohë të rrisë pagat e administratës publike pa hapur debat për produktivitetin e këtyre punëtorëve. “Nuk mund gjithçka të jetë në kurriz të sektorit privat, kurse punëtorët e sektorit publik ti gëzojnë këto përfitime”, shprehen ata.

    Ekspertët mes tjerash thonë se inflacioni i lartë vjen si pasojë e mos koordinimit të mjaftueshëm të politikës monetare dhe fiskale gjatë periudhës së krizës. Sipas tyre Banka Popullore reagon në drejtimin e duhur ndërsa qeveria e udhëhequr nga politikat e saj ditore reagon në drejtimin e gabuar. Arsyeja pse në vend po vazhdon inflacioni i lartë sipas tyre është pikërisht kjo e që është shqetësuese. Inflacioni i lartë sipas Ademit do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë derisa vendi është i varur nga importi i produkteve, pa produkte vendore dhe pa bujqësi të fortë. Sipas tij qeveria mund ta zbusë situatën nëse rrit transparencën e borxhit publik dhe njëkohësisht rrit edhe cilësinë e shpenzimit të parasë publike. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Parti për çdo mëhallë!

    Lajmi i rradhës

    Pritet të fillojë pastrimi i shtretërve të lumenjve në rajonin e Tetovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë