Partitë “fshehin” problemet lokale me tema globale!

    Temat që po i hapin partitë politike para zgjedhjeve lokale nëpër tribuna, kanë për qëllim para se gjithash të mobilizojnë anëtarësinë, pastaj edhe të tërheqin edhe mbështetës të ri, thonë analistët politik. Sipas tyre, është e rëndësishme platforma e kandidatëve, por më e rëndësishme është partia

    Pagat dhe politikat ekonomike, krimi dhe korrupsioni, si dhe çështjet e hapura me Bullgarinë janë një pjesë e temave në vëmendjen e partive politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale, të planifikuara për në vjeshtë. Megjithëse fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore është larg,  jozyrtarisht kërkimi i votave ka filluar përmes tribunave dhe takimeve me qytetarë, ku udhëheqësit e partive po përpiqen të bindin qytetarët se politikat e tyre në këto tema janë opsioni më i mirë. “Politikat ekonomike të Qeverisë së udhëhequr nga LSDM po japin rezultat, borxhi publik po ulet, pagat po rriten”, kumtuan nga partia qeverisëse.

    “Me konceptin ‘Maqedonia për të gjithë njerëzit’, do të sigurojmë rrogë prej 750 euro për qytetarët”, porositi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

    Temat e hapura nga partitë politike më shumë kanë të bëjnë me nivelin qendrorë dhe nuk kanë shumë rëndësi në politikën lokale, shprehet analisti politik, Qenan Aliu. Ai thotë se partitë politike kanë identifikuar kodin e mashtrimit. “Ju lutem, zgjedhjet lokale parimisht janë zgjedhje administrative nuk janë zgjedhje politike se paku kështu kanë notuar teoritë me zgjedhjet dhe demokracinë. Fatkeqësisht te ne zgjedhjet lokale i shndërrojnë në pazare politike shumëdimensionale. Qytetarët mashtrohen thellë nga partia .Ata nuk i hapin listat, flasin për tema globale, por nuk thonë kur do ta decentralizojnë shtetin në aspektin fiskal si vend më i centralizuar në Evrope. Demokracia fillon dhe zhvillohet nga poshtë lart. Një vend pa decentralizim të mirëfilltë nuk ka demokraci as të plotë e as funksionale. Partitë politike, sidomos shqiptare duhet t’i informojnë shqiptaret se pse Maqedonia e Veriut akoma ka vetëm dekoncentrim te pushtetit e nuk ka decentralizim te mirëfilltë. Këta edhe sikur të flasin për infrastrukturë nuk nënkupton se zhvillimi i infrastrukturës sjell barazinë e statusit te shqiptarëve”, ka deklaruar për KOHA, Qenan Aliu, analist.

    Nga ana tjetër, analisti politik Bardhyl Zaimi shprehet se në mungesë të vizionit për atë se çfarë përfaqëson pushteti lokal, partitë zhvendosen në tema që nuk përkojnë me realitetin.

    “Duket si një prelud për zgjedhjet lokale, një lloj parafushate që prek në ndjeshmërinë e qytetarëve në ato problematika që shfaqen si më ekzistenciale. Po, pa diskutim janë vërejtur premtime që s’kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale siç është rasti me premtimet për rritje rrogash nga partitë. Gjithsesi duket nonsens në kohën kur në zgjedhjet lokale preokupimet e qytetarëve janë krejtësisht tjera që më tepër ndërlidhen me problemet e përditshme në kuptimin e infrastrukturës, shërbimeve komunale etj. Mbase në mungesë vizioni për atë se çfarë përfaqëson pushteti lokal në esencë partitë ka gjasa të zhvendosen në tema dhe premtime tjera mobilizuese  por kjo edhe njëherë na kthen në shkretëtirën e premtimeve boshe që nuk përkojnë me realitetin. Nuk është hera e parë që partitë e huqin realitetin dhe zgjidhjet që duhet të ofrojnë. Kjo parafushatë tërësisht duket jashtë fokusit të zgjedhjeve lokale”, ka deklaruar për KOHA, Bardhyl.

    Kryeparlamentari, Talat Xhaferi këtë muaj ose më së voni në fillim të muajit gusht duhet t’i shpall zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen në tetor. Këto do të jenë zgjedhjet e shtata lokale pas mëvetësimit të Maqedonisë së Veriut. Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon tre javë para mbajtjes së zgjedhjeve.

    Lajmi Paraprak

    13 arsye pse duhet ta bëni pjesë të jetës suaj vajin e bajames!

    Lajmi i rradhës

    Temperatura mbi 40 gradë | Si ta mësoni trupin me vapën ekstreme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë