“Partitë maqedonase pengojnë procesin e vetingut”

    Blerim Bexheti dhe “gjyqtarët partiakë”, shkak i përplasjes BDI-ASh në Klan Debat

    Vjollca Berisha nga ASh në emisionin Klan Debat ka akuzuar BDI-në se ka ndikuar direkt në politizimin e gjyqësorit, duke i përzgjedhur gjyqtarët dhe prokurorët me direktiva partiake. Kjo sipas Berishës, dëshmohet edhe në bisedat e përgjuara të publikuara para disa viteve, përcjell Nistori.

    Ndërkaq, Arta Bilalli Zendeli nga BDI u shpreh se partia ku bën pjesë ajo është kujdesur që të rritet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë në Maqedoni.

    Besa Kadriu: Korrupsioni prek të gjitha shoqëritë në botë, por dallimi qëndron tek vullneti politik për ta trajtuar këtë fenomen negativ

    Korrupsioni është element sensitiv që prek shoqëritë e të gjitha vendeve në botë, por dallimi është tek vullneti i aktorëve politikë për ta trajtuar këtë fenomen. Kështu vlerësoi përfaqësuesja e Lëvizjes Besa, profesoresha, Besa Kadriu.

    “Unë besoj se ndoshta në një të ardhme shumë të afërt bashkë me autoritetet e tjera vendore do të kenë mundësi të kenë një qasje serioze për të nxjerrë në sipërfaqe të gjithë ato njerëz që janë të përfshirë në afera korruptive, të distancohen nga skena politike sepse në këtë mënyrë kjo ngulfatje do të distancohet dhe do t’i jepet mundësi institucioneve që të qeverisen nga autoritete që vërtetë e meritojnë”, deklaroi Kadriu.

    Anulimi i vizitës së delegacionit amerikan | Berisha: Mund të jetë mesazh për ndonjë skandal korruptiv

    Berisha mendon se anulimi i vizitës së delagacionit nga SHBA në Maqedoni mund të jetë ndonjë mesazh për krerët poltik në vend. Sipas saj, edhe pse zyrtarisht nuk ka ndonjë arsye për anulimin e vizitës, sërish ka vend për dyshime.

    “Gjithçka kur ndodh kështu e kur lidhet me Maqedoninë, sidomos nga shtete serioze si SHBA, na jep të drejtë për të menduar se është njëlloj mesazhi… fatkeqësisht jetojmë në një vend skandalesh dhe gjithmonë kërkojmë se mos ndoshta arsyeja që nuk vijnë është për shkak të ndonjë skandali”, sqaroi Berisha.

    Paralajmërimet amerikane kundër korrupsionit në RMV | Arta Bilalli: Pres që së shpejti të ketë rezultate

    Deputetja e BDI-së, Arta Bilalli Zendelit ka përshëndetur iniciativën dhe paralajmërimet e Ambasadores së SHBA-së për zbulimin e aferave korruptive dhe funksionarëve të korruptuar dhe shtoi se pret rezultate konkrete së shpejti. Ndërsa sa i përket anulimit të vizitës së delagacionit amerikan në vend, Bilalli Zendeli u shpreh se bëhet fjalë për shtyrje të vizitës për një periudhë jo shumë të gjatë, deri pas festave të fundvitit.

    “Me bindje të plotë mund të konstatoj se që nga momenti i zbritjes së zonjës Ageler sikur u tentua e u arrit që përhapet një energji kundër korrupsionit dhe mendoj se jorastësisht ato mesazhet e para të saj, që i dërgoi në mënyrë mjaft direkte ishin për luftën kundër korrupsionit. Patjetër se mirëpresim një iniciativë të tillë dhe pres që së shpejti të ketë rezultate”, deklaroi Arta Bilalli Zendeli.

    Kadriu: Luftës kundër korrupsionit duhet t’i qasemi pa anshmëri dhe bindje politike

    Besa Kadriu, shpreson dhe beson se lufta e paralajmëruar kundër krimit dhe korrupsionit nga ana e Ambasadës së ShBA-së në Shkup do të marrë qasje më serioze.

    “Në pikëpamje institucionale këto çështje duhet të trajtohen pa anshmëri, pa emocione politike apo bindje të tjera”, theksoi Kadriu nga partia Besa.

    Berisha: Pastrimin e korrupsionit duhet ta bëjmë për veten, pastaj për BE-në

    Berisha vlerëson se luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, ne duhet ta bëjmë fillimisht për të mirën tonë e pastaj për të mirën e Bashkimit Evropian. Është e turpshme, sipas saj, që Maqedonia të rangohet aq poshtë në listat e vendeve të korruptuara e me demokraci më pak të zhvilluara.

    “Fatkeqësisht jetojmë në një vend kaq të korruptuar e që vit pas viti zbresim në nivelin e shteteve me demokraci më të dobët dhe është e turpshme që nga mesi i Evropës të zbresish në nivelin e shteteve afrikane”, shtoi Berisha.

    Bilalli Zendeli: Partitë maqedonase e pengojnë procesin e vetingut

    Zendeli u shpreh se procesi i vetingut është shumë i rëndësishëm dhe i domosdosshëm për vendin. Sipas saj, duhet njëherë e mirë të pastrohen institucionet dhe shtoi se partia e saj ka qenë prej më herët për një veting të plotë. Megjithatë, sipas saj, ligji për veting që ka kaluar në lexim të parë në mandatin e kaluar, po pengohet nga partitë maqedonase.

    “Me aq sa jam e informuar unë, janë partitë maqedonase ata që bëjnë probleme për procesin e vetingut”, deklaroi Zendeli.

    “Këtu e humbni betejën”, “Prit pak, prit…” | Polemika mes Kadriut dhe Zendelit për përgjimet

    Kadriu nga Besa dhe Arta Bilalli Zendeli nga BDI kanë debatuar ashpër rreth çështjes së përgjimeve dhe moszbardhjes së rasteve korruptive nga këto përgjime. Sipas Kadriut, funksionarë të BDI-së kanë bërë presione të shumta duke e shfrytëzuar pushtetin për të fituar zgjedhjet dhe kjo sipas saj, dëshmohet në bisedat e përgjuara.

    Ndërsa Bilalli Zendeli u shpreh se BDI fiton të gjitha ciklet zgjedhore radhazi sepse qytetarët i besojnë kësaj partie, ndërsa për përgjimet, Zendeli thotë se kanë qenë funksionarët e VMRO-së ata që janë dëgjuar duke bërë presione e veprime tjera për zgjedhjet. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mënyra më e mirë e përgatitjes së shëndetlies me shije të përsosur

    Lajmi i rradhës

    Berisha: Pastrimin e korrupsionit duhet ta bëjmë për veten, pastaj për BE-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë