Himni i Kumanovës i publikuar nga kreu i kësaj komune, Maksim Dimitrievski ka nxitur reagime të mëdha në opinion. Versioni i publikuar nga Dimitrievski me titullin “Ode për Kumanovën” apo poezi lirike për Kumanovën, përveç që nuk përkon me realitetin kulturor dhe etnik në Kumanovë, i njëjti nuk përfshin në filmime madje as vendbanimet shqiptare.
I pyetur për këtë veprim, Dimitrievski nuk iu përgjigj televizionit Alsat. Opozita shqiptare e vlerëson të padrejtë dhe mos përfillje të qytetarëve shqiptar dhe të etnive tjera në Kumanovë. Osama Muadini nga Aleanca për Shqiptarët thotë se në seancën e ardhshme të Këshillit Komunal do të kërkojë tërheqjen e këtij himni.
Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar dhe nuk përfillen nga kreu i Komunës dhe administratës komunale, të cilët në këtë formë mundohen ta paraqesin Kumanovën monoetnike. Realiteti etnik në Kumanovë është ndryshe. Skenat filmike paraqesin vetëm vendbanimet ku jetojnë maqedonas, sepse në vendbanimet shqiptare vazhdon të jetë një kaos dhe infrastrukturë që nuk i ngjajnë qytetit të Kumanovës. Në seancën e ardhshme do të kërkoj që ky himn të tërhiqet – tha Osama Muadini, Këshilltarë i ASH-së, Kumanovë.
Këshilltarët e BDI-së distancohen nga himni i Kumanovës duke shtuar se për të njëjtin nuk janë konsultuar nga askush dhe nuk e kanë mbështetur.
Ne si grup i këshilltarëve Komunal nga radhët e BDI-së diferencohemi nga i ashtuquajturi “himni për Kumanovën ose oda për Kumanovën”, për arsye se nuk përmban asnjë element përfaqësues të bashkësive të tjera që jetojnë në qytetin e Kumanovës. Nuk na ka konsultuar askush për një gjë të tillë dhe nuk e përkrahim dhe as mbështesim. Diskriminimi etnik dhe kulturorë nuk është në harmoni me moton “Një shoqëri për të gjithë – thuhet në reagimin e Këshilltarëve të BDI-së, Kumanovë.
Projekti është financuar nga Fondacioni për kulturë dhe sport në Kumanovë me bashkëfinancim nga Komuna e Kumanovës. Promovimi dhe publikimi i tij vjen pikërisht në kohën kur partitë po kalkulojnë me emrat e kandidatëve për kryetar komunash. Njëri ndër kandidatët e përfolur të LSDM-së edhe për një mandat është edhe Dimitrievski i cili mandatin e fundit fitoi në rrethin e parë kundër kandidatin e tij të VMRO-DPMNE-së, falë votave të qytetarëve shqiptar dhe mbështetjes së subjekteve politike shqiptare.