Pishinat janë një nga zgjedhjet më të zakonshme në ditët e verës, të cilat ofrojnë shumë argëtim, sidomos për fëmijët e vegjël.
Por, ajo që mund të nisë si argëtim, fatkeqësisht mund të kthehet edhe në tragjedi në disa raste.
E tillë ka qenë ngjarja e çiftit të sportistëve të njohur skiatorit olimpik Bode Miller dhe gruas së tij, volejbollistes Morgan Beck Miller, të cilët pak kohë më parë dhanë lajmin e hidhur se vajza e tyre 19 muajshe Emelline Grier u mbyt në pishinë.
“Jemi më keq se të shkatërruar”, ka shkruar Miller në një postim të Instagram për nder të së bijës së ndjerë. “Kurrë për një milion vjet nuk menduam se do të përjetonim një dhimbje si kjo. Dashuria e saj, drita e saj, shpirti i saj kurrë nuk do të harrohen”.
Pavarësisht ndihmës që tentuan t’i jepnin, vogëlushja e tyre nuk mundi të shpëtonte.
Për fat të keq, historia e Emeline është tragjikisht e zakonshme. Mbytja është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në mbarë botën. Normat më të larta të mbytjes janë midis fëmijëve 1-4 vjeç, pasuar nga fëmijët 5-9 vjeç”.
Çfarë mund të bëjnë prindërit për të minimizuar rrezikun e mbytjes së vogëlushëve?
Cakto një vëzhgues të posaçëm
Kur shkoni në pishinë shumë gjëra e aktivitete mund të marrin vëmendjen tuaj. Për këtë arsye, duhet të përcaktoni patjetër dikë, që t’i ngarkoni detyrën e ruajtjes së fëmijëve. Prindërit zakonisht kanë idenë se po të ndodhë diçka e keqe, do të dëgjojnë fëmijën duke qarë, duke u ankuar dhe do të shkojnë ta shpëtojnë. Por, fatkeqësisht këto ngjarje ndodhin në heshtje të plotë. Prandaj, duhet t’i besoni dikujt detyrën e ruajtjes së tyre.
Jepini mësime noti (por mbikqyrini ende)
Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, fëmijët mbi moshën një vjeç mund të kenë një rrezik më të ulët të mbytjes nëse kanë patur disa instruksione formale të notit. Megjithatë, ende duhet të jeni shumë të vëmendshëm dhe t’i ruani kur lahen në pishinë.
Instaloni pengesa
Shumica e mbytjeve të fëmijëve nën moshën 4-vjeçare ndodhin në pishinat që gjenden në oborret e shtëpive dhe kur fëmija shkon atje vetëm, pa e vënë re të rriturit. Për këtë arsye, sigurohuni që të vendosni pengesa që fëmija të mos ketë mundësi të shkojë atje pa ju.