Partitë shqiptare “në luftë” për të hyrë në Qeverinë e re

    Pas rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, partitë politike shqiptare, gjegjësisht koalicionet, kanë nisur me llogaritjet se cila do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme, shkruan Nistori.

    Deklaratat e kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, i cili thotë se Qeverinë e ardhshme do ta formojë me koalicionin VLEN dhe se nuk ka dëgjuar se opozita shqiptare i ka kusht ndryshimet kushtetuese, kanë shkaktuar përplasje në kampin politik shqiptar.

    “Qytetarët folën, koalicionin e ardhshëm në Maqedoni do ta udhëheq VMRO-DPMNE, ndërsa në të do të jetë koalicioni që në këto zgjedhje mori pjesë nën emrin VLEN. Unë nuk kam dëgjuar që kushti për qeveri nga ata janë ndryshimet kushtetuese”, tha Mickoski. Ai gjithashtu theksoi se kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, i ka dërguar emisarë për të bërë koalicion me partinë e tij, duke shtuar se “Ahmeti është i gatshëm të futet në Qeveri pa kushte”.

    “Më vjen keq që Ali Ahmeti në opinion dëshiron të paraqitet si ideolog dhe shumë i fuqishëm, por në prapavijë më dërgon emisarë dhe do të them pa kushte, dëshiron të hyjë në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin Maqedonia jote”, tha Mickoski.

    Ndaj këtyre deklaratave të Mickoskit, kanë reaguar nga “Fronti Europian”, prej ku thonë se opozita shqiptare është e gatshme për çdo kompromis me fatin e qytetarëve, vetëm për t’i pëlqyer Mickoskit. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se “Mickoski sot e konfirmoi turpin e opozitës shqiptare”.

    “Mickoski konfirmoi sot turpin e opozitës shqiptare të cilët janë të gatshëm të bëjnë çdo kompromis me fatin e qytetarëve, vetëm për t’i pëlqyer Mickoskit. Për ta arritur këtë ata kanë hequr dorë edhe nga kushtëzimi për ndryshimet kushtetuese që nënkupton heqje dorë edhe nga anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian”.

    “Ata janë të gatshëm ta rikthejnë vendin në izolim vetëm e vetëm që të jenë servil të VMRO-së dhe Mickoskit e me këtë t’i nënshtrojnë edhe shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët dhe të gjjthë qytetarët për interesat e tyre. Këtë turp dhe tradhëti Mickoski ua nxori në shesh haptazi, ndërsa ata nuk e thonë asnjë fjalë, që dëshmon se sa janë servilosur dhe sa janë nënshtruarthuhet mes tjerash në reagimin e Mickoskit”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, e cila është pjesë e “Frontit Europian”.

    Ndërsa nga Koalicioni VLEN thonë se VMRO-DPMNE-ja i ka në koalicion të saj bashkësitë e tjera etnike dhe për të formuar qeverinë, i duhen vetëm përfaqësuesit e shqiptarëve. Kryetari i Lëvizjes Demokratike, pjesë e VLEN-it Izet Mexhiti, sot deklaroi se VLEN është përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

    “Edhe marrëveshja e majit që u nënshkrua në vitin 2007, kërkonte, aty qëndron, fituesi te shqiptarët dhe fituesi te maqedonasit të formojnë qeveri të re. Tani mendoj se BDI e ka thyer këtë, sepse nuk është koncept shqiptar, por hyri në koncept multietnik, në koncept qytetar, gjithë këtë e bëri pas 22 viteve, të shpëtojë me votat e turqve, boshnjakëve dhe legjitime ishte ajo, por tani nuk mund të thirren se i përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni”.

    “Koncept i pastër shqiptar është VLEN dhe normalisht që Mickoski ka turq, boshnjakë dhe bashkësi tjera etnike në koalicionin e VMRO-DPMNE-së, për të qenë fotografia e plotë, atij i duhet partner shqiptar, partner shqiptar për momentin është vetëm VLEN”, deklaroi Mexhiti.

    Por, si i komentojnë analistët këto deklarata?

    Politologu Rilind Dauti për Nistori-n thotë se deklarata e Mickoskit për gjoja emisarë nga BDI që i kërkojnë hyrje në qeveri, është tepër joreale për t’u besuar si e vërtetë. Sipas tij kjo duhet të merret thjeshtë si përpjekje për diskreditim të BDI-së para zgjedhjeve parlamentare që tek kanë për të ndodhur.

    “Kushdo nga partitë shqiptare që do të jetë pjesë e negociatave për hyrje në qeverinë e ardhshme, nuk guxon t’a ulë “pazarin”, por premtimet e bëra të vendosen të shkruara në programin e qeverisë, dhe të këmbëngulin që njërën nga tre pozitat kryesore në shtet t’a marrin shqiptarët (në këtë rast kryetarin e kuvendit), si edhe njërën nga tre pozitat kryesore ministrore (MPB, MPJ, ose financat)”, thotë Rilind Dauti.

    Në lidhje me integrimin europian të vendit, ai thekson se kjo nuk duhet të jetë obsesion aq i madh i partive shqiptare deri në patetikë siç është tani, sepse siç thotë, në fund të fundit kjo varet nga vet BE, që sipas tij, është dëshmuar se bën hile.

    “Por, edhe ashtu nuk ka rrezik nga largimi prej rrugës eurointegruese të RMV-së. Marrëveshjen e Prespës, VMRO-DPMNE do të vazhdojë t’a zbatojë me arsyetimin se këtë e kanë trashëgimi nga LSDM dhe tani s’kanë se çfarë të bëjnë, por nuk përjashtohet edhe ndryshimi i kushtetutës për t’i futur bullgarët në të, duke bërë ndonjë spin të suksesshëm para elektoratit për ndryshim të qëndrimit”, thotë Dauti.

    Ndryshe, në zgjedhjet presidenciale kandidatja e VMRO-së Gordana Siljanovska mori më shumë vota, e pasuar nga kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski. Këta të dy do të garojnë për kryetar shteti më 8 maj, kur edhe do të mbahen zgjedhjet parlamentare. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pendarovski: asnjëherë nuk kemi montuar procese politike

    Lajmi i rradhës

    Sa herë në vit duhet të bëni kontroll mjekësor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë