Partitë të mos “ndotin” edhe me populizëm

    Dhoma spitalore të mbushura përplot me pacientë, barnatore të frenkuentuara gjithmonë e më shumë duke kërkuar të njëjtat ilaçe që luftojnë kollitjen, teshtitjen, kokëdhimbjen dhe vështirësitë në frymëmarrje. Tashmë dy javë nga ngufatja me ajër jashtëzakonisht të ndotur në Maqedoni. Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, në të cilën duhej të diskutohej për rekomandimet kundër ndotjes së ajrit, iniciuar nga grupi i këshilltarëve të LSDM-së, nuk do të mbahet. Këtë e ka bërë të ditur ditë më parë kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, i cili përmes një komunikate me shkrim të dërguar nga partia e tij amë VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nuk është mbledhur numri i mjaftueshëm i nënshkrimeve për mbajtjen e seancës.

    Në mënyrë shtesë, Sllaveski thotë se nga kabineti i kryetares Danela Arsovska ka marrë përgjigje dhe mendim me shkrim në lidhje me rekomandimet e propozuara kundër ndotjes së ajrit, por, siç thekson, në përgjigjen e saj thuhet se Qyteti i Shkupit tashmë po merr disa masa afatmesme dhe afatgjata në luftën kundër ndotjes së ajrit.

    “Si i pari mes të barabartëve në Këshill, u bëj thirrje partive që të përmbahen nga politika dhe populizmi për një temë kaq të ndjeshme që prek të gjithë kryeqytetasit. Apeloj për reagim adekuat të shtetit, ku do të ndërmerret aksion i koordinuar për një sërë masash për uljen e ndotjes së ajrit, e cila na prek të gjithëve njësoj”, tha kryetari i Këshillit, Sllaveski.

    Ndërkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski në një konferencë për media tha se çështja e ndotjes së ajrit nuk është çështje që mund të zgjidhet për 12 muaj.

    Sipas tij, arsyeja më e madhe e ndotjes së lartë në të gjitha qytetet e mëdha gjatë muajve të dimrit është ngrohja e banesave me lëndë djegëse të ngurta që ndotin edhe më shumë.

    “Ajo që po bën shteti, duhet ta bëjnë edhe komunat, është transformimi energjetik i shtetit”, tha sot kryeministri.

    Për dallim prej ditëve të kaluara, sot Shkupi u rendit në vendin e 53-të sipas listës së qyteteve më të ndotura në botë. Kjo do të thotë përmirësim i situatës për dallim prej disa ditëve, kur kryeqyteti me ditë ishte në top-dhjetëshen, ose në top-pesë qytetet më të ndotura. Mirëpo, kjo me shumë gjasa ka ardhur vetëm për shkak të reshjeve të shiut, i cili ka pastruar pak ajrin e Shkupit. Ndotësi kryesor në Shkup janë ende grimcat PM 2.5, përqendrimi i të cilave, sipas matjes së “I-Q-Air” nga ora 15:00, është 2.9 herë më i lartë se vlera vjetore e udhëzimeve për cilësinë e ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Ndryshe, LSDM kërkon të shtohet qarkullimi i autobusëve për të gjitha linjat e transportit publik të qytetit, si dhe të vendoset masa e transportit falas për të gjithë qytetarët e Shkupit. Sipas tyre, shkaktar i drejtpërdrejtë i ndotjes së ajrit është kaosi dhe mosfunksionimi i transportit publik. Këto dy masa drejtpërdrejtë do të ndikonin në uljen e numrit të automjeteve në qytet dhe do të stimulonin përdorimin e transportit publik. Derisa banorët e Shkupit po thithin ajër të ndotur pushteti lokal i VMRO-DPMNE-së e ka ulur buxhetin e standardit jetësor në 44%, buxhet ky i cili me duartrokitje u votua nga këshilltarët e koalicionit të VMRO-së dhe Të Majtës, thonë nga atje. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nga çfarë shqetësohet Qeveria në 2023?

    Lajmi i rradhës

    Pagë minimale në RMV për shpenzime maksimale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë