Pas protestës në Tetovë, Gjykata Kushtetuese: ne gjykojmë procedurën, jo emrat e rrugëve

    Përmes një deklarate me shkrim, Gjykata Kushtetuese kritikoi ashpër përpjekjet për politizimin dhe partizimin e punës së saj nga disa parti politike, të cilat, sipas saj, përdorin vendimet, aktivitetet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Gjykatës për qëllime të politikës ditore, përcjell Nistori.

    Sipas Gjykatës, promovimi i bashkëpunimit të saj ndërkombëtar është vendosur në një kontekst politik dhe është shfrytëzuar për përplasje partiake dhe fitim pikësh politike.

    “Bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë dhe do të mbetet një nga angazhimet strategjike të Gjykatës dhe është pjesë përbërëse e veprimtarisë së saj institucionale. Edhe këtë vit, ashtu si më parë, Gjykata Kushtetuese po punon intensivisht për forcimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare, duke nënshkruar tre memorandume bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Gjykatën Supreme Kushtetuese të Republikës Arabe të Egjiptit dhe, dy ditë më parë, Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Serbisë. Përveç kësaj, Gjykatës i është besuar kryesimi i Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese për këtë vit, si dhe përfaqësimi i tij në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    Gjykata thekson se mbetet e përkushtuar ndaj juridiksionit dhe pavarësisë së saj kushtetuese, duke shtuar se nuk do t’u nënshtrohet presioneve, ndikimeve apo përpjekjeve politike për ta diskredituar institucionin dhe se do të vazhdojë ta forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar.

    Gjykata u bën sërish thirrje faktorëve politikë të tregojnë kulturë më të lartë kushtetuese dhe politike, duke kërkuar që dallimet politike dhe përballjet partiake të mos zhvillohen në kurriz të sundimit të ligjit dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e rendit kushtetues.

    “Pavarësia dhe besueshmëria e Gjykatës Kushtetuese janë vlera që duhet të jenë interes i përbashkët i të gjithë aktorëve shoqërorë”, thuhet më tej në reagim.

    Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë edhe pretendimet se vendimet e saj janë antikushtetuese ose të paligjshme, duke theksuar se, sipas nenit 112 të Kushtetutës, vendimet e saj janë përfundimtare, të zbatueshme dhe përgjithësisht të detyrueshme.

    “Në vend që të bëjnë thirrje për protesta të drejtuara drejtpërdrejt kundër sundimit të ligjit, partitë duhet të tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave evropiane dhe nevojave të qytetarëve”, thekson Gjykata.

    Sipas saj, nuk ka rëndësi se cilët janë emrat e rrugëve, shkollave, objekteve infrastrukturore apo vendeve të tjera, pasi këto janë vendime politike që nuk i nënshtrohen shqyrtimit të saj.

    Për Gjykatën, thelbësore është nëse këto vendime janë marrë në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj.

    “Provë e punës objektive dhe të pavarur të Gjykatës Kushtetuese, e bazuar ekskluzivisht në vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së akteve të miratuara nga autoritetet në vend, janë edhe vendimet për ligjshmërinë e procedurës së riemërtimit të rrugëve në Çair”, thekson Gjykata.

    Gjykata u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje në komunikimin publik, si dhe të përmbahen nga përhapja e gënjeshtrave dhe manipulimeve në dëm të institucionit që mbron Kushtetutën dhe rendin kushtetues e juridik të shtetit.

    Seanca e Këshillit të Komunës së Tetovës, në të cilën do të diskutohet iniciativa për riemërtimin e rrugëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi disa nga vendimet e mëparshme, është caktuar për nesër. Kjo çështje tashmë ka nxitur akuza të reja të ndërsjella mes BDI-së dhe VLEN-it.

    Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) njoftoi se protesta e djeshme u organizua si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për emërtimin e rrugëve në Tetovë. Sipas partisë, pakënaqësia është më e gjerë, pasi ekziston shqetësim edhe për zvogëlimin e të drejtave dhe mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

    Më 26 qershor, në Tetovë u mbajt një marsh protestues kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi vendimin për riemërtimin e disa rrugëve dhe të sheshit të qytetit, të miratuar në vitin 2007 nga përbërja e atëhershme e Këshillit Komunal.

    Marshi u organizua me thirrjen e degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Tetovë, ndërsa kryetari i partisë, Ali Ahmeti, gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të merrnin pjesë në tubimin protestues kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Gruevski mohon pronësinë e apartamenteve të sekuestruara në rastin “Parcelat në Vodno”

    Lajmi i rradhës

    PE ia përsërit kërkesën Serbisë: normalizoni marrëdhëniet me Kosovën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë