Komuna e Strugës dhe kreu i saj Mendi Qyra do të përballen me gjoba nëse Gjykata në Strugë vendos të pranojë kërkesën e policisë, për të filluar procedurë kundërvajtëse ndaj Qyrës dhe komunës, për shkak të mosvendosjes së flamurit shtetëror në festimet për 28 Nëntorin. Nga gjykata e Strugës thanë për Alsat se kërkesa u ka mbërritur dje dhe nga dita e martë, lënda do t’i jepet gjyqtarit të rastit, i cili do të fillojë procedurat. Ndërkohë komuna e Strugës hesht për procedurën kundërvajtëse.
Nga atje thonë se nuk do të prononcohen. E gjithë kjo ndodh pas acarimit të marrëdhënieve midis Mickoskit dhe Qyrës. Kryeministri tha se përmes porosisë SMS shprehu zhgënjim të thellë që flamuri shtetëror nuk u vendos në festime. Pas “qortimit” të kryeministrit Mickoski, kreu i Strugës Mendi Qyra i cili fitoi zgjedhjet edhe me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së mungesën e flamurit e cilësoi si lëshim. Madje u shpreh i bindur se bashkëpunimi me këshilltarët e partisë së Mickoskit do të jetë në nivel. Por situata në Strugë është krejtësisht ndryshe. Marrëdhëniet midis Vmro-së, Qyrës dhe VLEN-it në Strugë nuk janë në nivel. Kjo duket qartë për shkak të faktit se palët nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë marrëveshje për emrin e kryetarit të këshillit për më shumë se një muaj.
“Kur të krijohen kushtet për një shumicë dhe për zgjedhjen e një kryetari, ajo do të realizohet”, tha Mite Stevoski – këshilltar i Vmro Dpmne-së.
Seanca e Këshillit të Komunës së Strugës është caktuar për 10 dhjetor. Ajo u thirr nga anëtari më i vjetër, Nafi Jonuzi, por ndër pikat e rendit të ditës nuk është askund zgjedhja e kreut të këshillit. Nga VMRO-DPMNE thanë për Alsat se nëse kryesimi i këshillit nuk u përket atyre deri më 31 dhjetor, pra deri në afatin ligjor për miratimin e buxhetit komunal, ata do të largohen nga koalicioni me VLEN-in në nivel lokal. Vlen tashmë ka thënë se tani për tani nuk ka marrëveshje. Megjithatë, burimet thonë se vendimi përfundimtar se si do të veprohet do të merret këto ditë.






