Pas zgjedhjeve presidenciale, partitë vazhdojnë fushatën për zgjedhjet parlamentare

    Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, kanë vazhduar me fushatën për zgjedhjet parlamentare.

    Nga LSDM theksuan se edhe përskaj rezultateve në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, nuk do të dorëzohen assesi nga rruga evropiane e vendit. Fushatën, LSDM do ta vazhdojë me më shumë takime me qytetarët. Nga kjo parti bënë thirrje për zgjimin e forcave progresive në vend.

    “Është e vërtetë sot fillojmë nga zero, fillojmë nga zero me zemër të hapur të gjerë dhe me dorë të zgjatur për secilin. Nëse bëhej fjalë për dërgim porosie për secilin prej nesh… Ta dini se porosia është marrë, porosia është dëgjuar dhe porosia është ajo që vlera e vetme në shtet është gjithmonë të jeni krah për krah me popullin”, deklaroi Oliver Spasovski.

    VMRO-DPMNE në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare paralajmëron më shumë investime për zhvillimin e komunave dhe bujqësisë. Dragan Kovaçki nga Karbinci deklaroi se qeveria e udhëhequr nga VMRO-ja, do të zgjidh problemet e bujqve me mbi 800 milion euro.

    “Në të ardhmen ne planifikojmë të japim 250 milion euro për komunat tona, respektivisht për të gjitha komunat në shtet, pa dallim se kush është në pushtet. Vetëm në Karbinci do të ndajmë 1.8 milion euro…Në mënyrë shtesë për banorët e kësaj ane parashohim mbi 800 milion euro në mandatin 4 vjeçar për bujqit”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

    Edhe Koalicioni “VLEN” e ka vazhduar fushatën për zgjedhjet parlamentare. Kryetari i “Alternativës”, Afrim Gashi ka treguar se koalicioni VLEN, synim e ka mirëqenien e qytetarëve. Ai gjatë një takim me disa të moshuar ka treguar se pensionet duhet të rriten sa më parë, madje Gashi me bindja ka thënë se asnjë pension nuk duhet të jetë më i vogël se paga minimale.

    “Personat që nuk kanë qenë pjesë e sigurimeve shoqërore do të marrin pensionin minimal, të barabartë me pagën minimale. Të gjithë të tjerët do të marrin pensione më të larta. Të moshuarit të cilët dëshirojnë të punojnë edhe përtej moshës së pensionit, do të shikohet mundësia që të aktivizohen me pagë të rregullt, sipas përvojës profesionale dhe përgatitjes që ata kanë”, tha Gashi.

    Lëvizja “Znam” u fokusua te zhvillimi i bujqësisë. Gjoko Bunevski tha se kjo parti ka përgatitur mbi 40 propozim masa për përmirësimin e sektorit për prodhimin dhe përpunimin e ushqimit, ku mes tjerash parashikohet stimulimi i fermerëve me subvencione si dhe ndalimi i migrimit nga fshatrat nëpër qytete.

    “Rritje të subvencioneve për bujqësinë, nëse kemi parasysh se buxheti momental është 160-180 milion euro, vetëm me riorganizim dhe revizion, sepse kemi masa joproduktive, jofunksionale dhe të vjetruara, që nuk japin rezultat, në atë raste ato mjete me vlera më të mëdha do të shkojnë te fermerët”, deklaroi Gjoko Bunevski, Lëvizja “Znam”.

    Lajmi Paraprak

    Bleu veturë luksoze, nis procesi gjyqësor ndaj Ramiz Merkos

    Lajmi i rradhës

    Sela: populli është vula më e mirë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë