Patentat me emrin e ri të RMV problem për diasporën në Itali 

    Italia nuk njeh patentat e reja të shoferit të lëshuara me emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut. Ky vendim i autoriteteve italiane ka shkaktuar shqetësime dhe probleme të mëdha tek diaspora e vendit tonë, pasi një numër i madh i mërgimtarëve, pas ndryshimit të emrit të shtetit, kanë marrë patenta shoferi me emërtimin e ri.

    Në takimet e zhvilluara me shumë mërgimtarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, u informuam se problemet janë serioze. Shoqatat dhe individët nga diaspora kanë ngritur shqetësime dhe kërkojnë nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, por edhe nga pala italiane, që ky problem të zgjidhet përmes marrëveshjeve ndërshtetërore mes Shkupit dhe Romës.

    Kjo situatë ka goditur rëndë edhe shumë dibranë që jetojnë dhe punojnë në Itali. Në kontaktet që patëm me Besnik M., Medat R. dhe Ajredit Sh., tre dibranë që jetojnë në Trento, u njoftuam se problemi ka marrë përmasa të mëdha, pasi as Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Romë dhe as autoritetet italiane nuk japin sqarime për tejkalimin e kësaj çështjeje. Sipas tyre, mërgimtarët që posedojnë patenta me emrin e ri nuk mund të shkojnë në punë, sepse iu ndalohet drejtimi i automjeteve. Ka pasur raste kur disa janë detyruar të lënë punën për shkak të pamundësisë së lëvizjes.

    Në Dibër patëm gjithashtu një takim me Bekim F., një dibran që jeton mbi dy dekada në Milano. Ai na tha se ky problem ka shkaktuar telashe të shumta jo vetëm për dibranët, por edhe për mërgimtarët nga rajone të tjera të vendit tonë. “Kërkojmë që pala maqedonase sa më shpejt të japë sqarime dhe të zgjidhë këtë problem. Kam informata se pala italiane akuzon Shkupin se është pikërisht Ministria e Punëve të Jashtme ajo që duhet të sqarojë situatën me Italinë. Nuk ka logjikë të lëshosh dokumente të reja pa i informuar shtetet e tjera se ato vlejnë. Për më tepër, një patentë shoferi kushton 1800 deri në 2000 euro”, tha ai.

    Në shoqatën e mërgimtarëve dibranë “Asociacione Dibra”, që vepron në Itali, u informuam se qytetarët me patenta shoferi të Maqedonisë së Veriut me emrin e ri nuk mund të drejtojnë automjete. Kryetari i shoqatës, Amet Xheka, dha disa sqarime për situatën. “Nëse shtetasi i Maqedonisë së Veriut jeton në Itali, ka afat një vjeçar. Pas një viti ai ka detyrim ta përkthejë patentën në gjuhën italiane, por vetëm nëse është rezident para se ta marrë patentën”, tha Xheka.

    Ai shtoi se shoqata ofron informacione dhe sqarime për mërgimtarët, duke theksuar se problemet ndryshojnë sipas statusit të qëndrimit në Itali, rezident ose jo rezident.

    Prej disa muajsh, ky problem është kthyer në shqetësimin kryesor të mërgimtarëve tanë në Itali, të cilët jetojnë në numër të madh, kryesisht në pjesën veriore të vendit, në rajonin industrial të Venetos, por edhe në zona të tjera. Edhe gjatë vizitave të tyre në vendlindje, shumë prej tyre, veçanërisht ata që posedojnë patenta të reja dhe nuk janë rezidentë në Itali, kanë kërkuar sqarime nga MPB-ja për këtë çështje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Si ta ndalim dëshirën e pangopur për ushqim kur jemi nën stres?

    Lajmi i rradhës

    Si mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të krijojë miqësi me bashkëmoshatarët e tij

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë