PAVARËSIM I VONSHËM I FËMIJËVE! Ku po gabojnë prindërit?

    Që të rrisim një fëmijë të pavarur përveç momentit ekonomik, është e rëndësishme edhe mënyra e edukimit. Prindërit duhet që në moshë të hershme t’i mësojnë fëmijëve si të jenë të pavarur dhe të përgjegjshëm, pasi shumë statistika në Maqedoninë e Veriut tregojnë se të rinjtë në vend shumë vonë bëhen të pavarur, si dhe që edhe pas moshës madhore ata vazhdojnë të jetojnë me prindërit.

    Sipas një analize të Eurostat të bërë në prill të këtij viti, 71% e të rinjve rezidentë në Maqedoninë e Veriut jetojnë me familjen. Pavarësia e fëmijëve sipas njohësve të çështjes mund të arrihet nëpërmjet lojës, pasi në periudhën nga 3 deri në 7 vjeç, loja është aktiviteti kryesor i tyre.

    Psikologja Larisa Stojkoviq-Trajkoska vlerëson se pavarësimi i fëmijëve duhet të fillojë duke i inkurajuar ata që të hanë vetë ushqimin, të mësojnë të vishen vetë, të marrin vetë lodrat ose edhe me ndihmën e dikujt, dhe më pas siç thotë ajo, fëmija lidhet me nënën dhe fillon i ndihmon asaj në punët e shtëpisë dhe mëson aktivitete të reja që lidhen me shtëpinë.

    “Në vitin e pestë, fëmija zhvillon aftësitë sociale, fillon të kuptojë se cilët janë rregullat e lojës dhe pse duhet t’i respektojë ato, fillon të interesohet për të vërtetën dhe gënjeshtrën, ndërsa në vitin e gjashtë, fëmijët bëhen kurioz për botën që i rrethon dhe fokusohen në aftësitë e tyre fizike, prandaj është mirë që çdo aktivitet të punohet me ta, në mënyrë që ata të mësojnë. Fëmija kështu merr role dhe përgjegjësi të reja. Kërkon konfirmim nëse diçka është bërë mirë dhe kënaqet kur i jepet mundësia të vendos vetë”, thotë psikologja.

    Sipas saj, kur prindi i beson fëmijës dhe i përkushtohet për ta mësuar fëmijën ta kuptojë, gjithmonë do të ketë rezultate, por që qasja duhet të jetë në përputhje me individualitetin, aftësitë dhe nevojat e tij.

    Nga ana tjetër, sociologu Skender Iseni në një prononcim për gazetën Koha vlerëson se gabimi nuk duhet kërkuar vetëm tek prindërit pasi, sipas tij, ata janë vetëm një nga faktorët e shumtë që kontribuojnë në pavarësimin e fëmijëve.

    Sipas tij nocioni “pavarësi” është shumë më i gjerë dhe në esencë kemi të bëjmë me aftësimin e fëmijëve në aspektin social dhe ekonomik, apo thënë rrjedhimisht “për të qëndruar në këmbë të veta”.

    “Shikuar nga ky këndvështrim mundësinë për pavarësi e kanë të rinjtë të cilët i kemi përgatitur për jetë, ata të cilët kanë përgatitje profesionale, kulturore, njerëzore, fëmijët të cilët ne kemi investuar më shumë se vetëm para. Kjo nuk është e lehtë dhe kërkon shumë sakrificë dhe angazhim, por është e vetmja rrugë për pavarësi, përndryshe çdo rrugë tjetër e cila nuk ndjek këto principe është e destinuar të krijojë masë të margjinalizuar në shoqëri”, theksoi Iseni.

    Pavarësimi i vonshëm i të rinjve sipas Eurostat, përveç në Maqedoninë e Veriut është i ngjashëm edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe kjo pjesërisht i atribuohet mentalitetit të këtyre zonave.

    Lajmi Paraprak

    Si e njeh opinioni publik Lupço Palevskin, i dyshuari për vrasjen e 14 vjeçares në Shkup!

    Lajmi i rradhës

    Shkaktari kryesor i sëmundjes së diabetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë