Mbi 45 mijë libra mungojnë në shkollat e Tetovës, viti shkollor ka filluar qe një muaj

    Përfaqësues të Sektorit për veprimtari publike-Departamenti për arsim pranë Komunës së Tetovës sot mbajti konferencë për shtyp ku theksuan për problemin me mungesën e librave shkollorë në shkollat komunale. Sipas kryesisë së sektorit, Nazmi Dauti, mungojnë 45.000 libra në shkollat e Tetovës, përcjell Nistori.

    “Si mund të ndërtojmë një të ardhme të ndritur për nxënësit tanë kur shkollat nuk janë të pajisura me librat e nevojshëm? Përgjegjëse për këtë është Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila ka në krye të saj dy shqiptarë (ministri dhe zëvendësministri). Për fat të keq, kujdesi për nxënësit dhe arsimin në përgjithësi duket se ka dështuar. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të ndjehet e turpëruar për mënyrën e saj të dështuar për të siguruar librat shkollore të premtuar për nxënësit e Tetovës. Situata e mungesës së teksteve shkollore në këtë komunë është një pasqyrë e qartë e mangësisë së kujdesit dhe përgjegjësisë së kësaj ministrie ndaj arsimit dhe të ardhmes së brezave të rinj”, deklaroi Dauti.

    “Në shkollat e Tetovës mungojnë mbi 45.000 libra, dhe situata po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Nxënësit po përballen me vështirësi të pashembullta për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre themelore, ndërsa MASH duket se është në një gjendje të përgjumur. Kjo mungesë e theksuar e teksteve shkollore është një dështim i qartë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të përmbushur premtimet e tyre ndaj arsimit. Nxënësit janë të deprivuar nga një burim mësimor themelor, duke u detyruar të mbështeten në shënime me dorë dhe materiale të kufizuara. Kjo nuk paraqet vetëm dështim ndaj nxënësve të Tetovës, por paraqet një dështim të plotë ndaj të ardhmes së Maqedonisë së Veriut”, shtoi ndër të tjera Dauti.

    Sipas tij është e turpshme të shohësh që MASh, një institucion që duhet të kujdeset për arsimin dhe zhvillimin e brezave të rinj, është në gjendje të shpërfillë nevojat e shkollave dhe nxënësve. Ai i kërkoi Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që t’i përgjigjet kësaj thirrjeje dhe të japë një shpjegim të qartë se përse ky problem është lejuar të zgjasë kaq gjatë. /Nistori/

      Lajmi Paraprak

      Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për anulimin e Udhëzimit për mbajtjen e regjistrave amë

      Lajmi i rradhës

      Pendarovski: Tempoja e ngadalshme e procesit të integrimit në BE është një prej kërcënimeve për demokracinë e Ballkanit

      Lajme tjera

      Bashkohu

      Informohu në kohë