Pendarovski: çdo ditë po rriten provokimet nacionaliste nga qarqe politike, ku si qëllim kanë prishjen rendit në vend

    Presidenti Stevo Pendarovski thotë se vrasja e mizore e dyfishtë e fundit në pah e nxori faktin se një pjesë e strukturave radikale jo vetëm që janë aktive te ne, por edhe politika e tyre dhe gjuha e urrejtjes mund të rezultojnë me pasoja tragjike, njoftoi Kabineti i shefit të shtetit, shkruan AIM, përcjell Nistori.

    Pendarovski, siç bëhet e ditur në kumtesë, ka theksuar se në vendin tonë nuk po kalon koha e rritjes së nacionalizmit dhe se fatkeqësisht gjithnjë e më shumë po shohim provokime nacionaliste që vijnë nga qarqe të caktuara politike dhe fetare, me të vetmin qëllim që të imponojnë botëkuptimin e tyre për të prishur stabilitetin e shtetit dhe për të minuar rendin demokratik.

    “Një pjesë e mirë e këtyre sulmeve janë rezultat i fushatave propagandistike nga qendrat e huaja ose infiltrimit dhe mbështetjes së tyre direkte të organizatave radikale politike. Ngjarja e fundit tragjike që përfundoi me vrasje të dyfishtë të tmerrshme nxori në sipërfaqe faktin e lënë pas dore se disa prej këtyre strukturave radikale jo vetëm janë aktive në vendin tonë, por edhe se politika dhe gjuha e tyre e urrejtjes mund të sjellë pasoja tragjike. Prandaj konsideroj se detyrë parësore e të gjitha strukturave politike demokratike është forcimi i qëndrueshmërisë së institucioneve dhe lufta e vazhdueshme kundër ekstremistëve, pa kalkulime ditore politike”, theksoi Pendarovski mbrëmë në fjalimin në konferencën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, 10 Dhjetori, organizuar nga Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive dhe Misioni i OSBE-së në Shkup.

    Pendarovski e theksoi rëndësinë e shënimit të 75-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pikërisht në këtë ditë në vitin e largët 1948, e cila që atëherë shënohet si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

    “Shtatë dekada e gjysmë më vonë kemi të drejtë të jemi krenarë për ndryshimet të cilat në suaza botërore ndodhën në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në raport me bazën fillestare me të cilën kemi nisur. Duhet të kemi parasysh se fillimi i luftës për të drejtat e njeriut ishte vetëm disa vite pas vuajtjeve të tmerrshme në Luftën e Dytë Botërore për të cilën përgjegjësinë e kishin regjimet totalitare dhe represive siç ishin nacizmi dhe fashizmi”, ka theksuar presidenti në konferencë.

    Ai tha se epoka e regresionit demokratik global që po kalojmë si viktimë të parë ka të drejtat dhe liritë e njeriut si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

    “Pavarësisht se në nivel rajonal dhe global ekzistojnë disa organizata ndërkombëtare që ndër të tjera kanë kompetencë parësore mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës, OSBE-ja, por edhe institucione gjyqësore si Tribunali Ndërkombëtar Penal me kompetencë për të ndjekur penalisht shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, duket se koha e konsensusit global për të drejtat e njeriut është prapa dhe po vjen një epokë e re e luftërave, represioneve dhe regjimeve autoritare”, theksoi Pendarovski.

    Në fjalimin e tij presidenti Pendarovski ka theksuar se të drejtat e njeriut nuk janë privilegj, modë e tepruar ose konstruksion ideologjik. Ato, siç theksoi, janë pjesë e patjetërsueshme e qenies njerëzore, arritjeve civilizuese dhe kusht për paqen në botë dhe mbijetesën e njerëzimit.

    “Në këtë kuptim, të gjitha kritikat që vijnë nga nacionalistët apo të ashtuquajturit sovranistët nga origjina të ndryshme ideologjike se të drejtat e njeriut janë krijim i liberalizmit perëndimor janë vetëm një justifikim për të legjitimuar represionin e brendshëm, apo për raste të agresionit të jashtëm”, tha Pendarovski.

    Sipas tij, përparimi dhe mirëqenia e kombeve dhe paqja ndërkombëtare janë të mundshme vetëm nëse kombet i respektojnë të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut dhe asesi ndryshe.

    “Shteti ynë përmes përvojës së vet vendosi standarde të rëndësishme për respektimin e të drejtave të njeriut në rajonin tonë dhe më gjerë. Edhe pse edhe shoqëria jonë nuk ishte imune në nacionalizmat në fillim të viteve të nëntëdhjeta të vitit të kaluar, megjtihatë, Maqedonia që nga fillimi i pavarësisë së saj vendosi që do të ndërtojë shoqëri të qytetarëve të njëjtë dhe të lirë me respektimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive të njeriut”, thotë Pendarovski.

    Ai ka përkujtuar se në kohën e euforisë së ndërtimit të shteteve etnike ne miratuam kushtetutë e cila mbështetet në themelet qytetare, por edhe me ndjeshmëri të theksuar për karaktarin multikulturor të shoqërisë maqedonase.

    “Pikërishrt ky vendim strategjik në vitin 1991 ishte një nga aspektet më të rëndësishme që na ndihmoi që të shmangim luftën, ndërsa shteti i ri të marrë verifikim dhe legjitimitet më të gjerë ndërkombëtar”, ka shtuar Pendarovski.

    Sipas tij, Marrëveshja Konrizë e Ohrit nga viti 2001 vendosi strandarde për mbrojtje të të drejtave kolektive të bashkësive të cilat edhe pas më shumë se dy dekadave ende vlerësohen si shembull i jashtëzakonshëm për ndërtimin e demokracisë multikulturore jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.

    Pjesë e rëndësishme e marrëveshjes, siç thotë Pendarovski, është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe identitetit të të gjitha bashkësive, pavarësisht nga numri i tyre ose përkatësia politike. Edhe atëherë edhe tani jam i bindur se ajo marrëveshje shoqërore na mundësoi që ta ruajmë shtetin dhe paqen dhe të ndërtojmë të ardhme të përbashkët. 

    “Megjithatë, koha e nacionalizmit në rritje nuk po kalon vendin tonë. Fatkeqësisht, gjithnjë e më shpesh jemi dëshmitarë të provokimeve nacionaliste që vijnë nga qarqe të caktuara politike dhe fetare, me qëllimin e vetëm që të prishin stabilitetin e shtetit dhe të cenojnë rendin demokratik duke imponuar botëkuptimin e tyre. Një pjesë e mirë e këtyre sulmeve janë rezultat i fushatave propagandistike të qendrave të huaja apo infiltrimit dhe mbështetjes direkte të tyre ndaj organizatave radikale politike”, theksoi kreu i shtetit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Cili është problemi tani me Marrëveshjen e Ohrit?

    Lajmi i rradhës

    Zyrtare: Ibrahimovic rikthehet te Milani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë