Pendarovski i zhgënjyer: Zhvillimet në Këshillin Gjyqësor i kanë shtuar njollën e zezë gjyqësorit

    Presidenti Stevo Pendarovski që erdhi në pozitën e kreut të shtetit me propozim të koalicionit BDI-LSDM, që çdo tubim e fillonin me thirrjen “Pa drejtësi, s’ka qetësi” sot dukshëm është i zhgënjyer me nivelin e gjyqësorit në vend. Madje duke komentuar situatën në Këshillin Gjyqësor (KGJ), Pendarovski tha se ky sektor nuk është përballë me kritika më të ashpra që nga viti 1990.

    “Nuk mbaj mend që vitet e kaluara të kemi pasur skena aq të pakëndshme që lidhen me sferën e cila edhe ashtu është thellësisht e kritikuar me të drejtë, dhe për të cilën më së shpeshti, për fat të keq, na vijnë lajme të këqija. Kjo ishte situatë, skenë e cila nuk duhet lejuar një shteti që negocion me BE-në dhe e cila nesër dëshiron të jetë anëtare në një grup me shtetet më demokratike në botë”, tha Stevo Pendarovski, president i shtetit.

    Ai shtoi se në qoftë se vazhdon ky institucion të ngelet pa kryetar, rrezikon që gjykatësit të ngelen pa paga ndërsa vendi të jetojë edhe më gjatë me një njollë të zezë në dosjen e demokracisë dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian.

    Situata në Këshillin Gjyqësor ngelet e paqartë edhe për ministrin e Drejtësisë Krenar Lloga. Ai thotë se është në pritje të procesverbalit të seancës kur u shkarkua tashmë ish-kryetarja e këtij institucioni, Vesna Dameva.

    “E konfirmuam para se të vijmë këtu dhe prcocesverbali nuk na është dërguar, nuk kemi asnjë informacion përveç asaj që e keni plasuar ju si mediume. Pjesa tjetër ngelet e paqartë, sepse nuk është publikuar asnjë vendim në Gazetën Zyrtare. Kështu që nuk do të doja të hyjë në këtë problematikë përderisa nuk kam në letër atë që veçse e kam kërkuar si ministër i Drejtësisë”, u shpreh Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.

    Rikujtojmë që edhe Lloga në këtë pozicion erdhi me një sërë premtimesh për përmirësimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë në vend. Nga ana tjetër, grupi i deputetëve të VMRO-së kërkon nga kuvendi si organ bashkëthemelues i Këshillit Gjyqësor, të referojë për situatën e fundit në këtë institucion.

    “Duke e dorëzuar këtë kërkesë në kuvend, ne kërkojmë përgjigje urgjente dhe të shpejta nga më përgjegjësit që e kanë sjellë këshillin gjyqësor në nivel të një mjeti privat për pazare mes partive politike por edhe nga ata të cilët më herët kishin dhënë mbështetje për Vesna Damevën, Selim Ademi, Pavlina Cërvenkovska, Tanja Çaçarovska Ilievska dhe Milazim Mustafa të cilët janë të zgjedhur pikërisht këtu në kuvend nga kolegët e shumicës parlamentare”, tha Eli Panova, deputete, VMRO.

    ALSAT edhe sot tentoi të kontaktojë me zëvendës kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi, për të marrë informacion se kur pritet të mbahet seanca e radhës për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni pasi dy seancat e fundit për këtë u anuluan, por përgjigje nuk morëm.

    Më herët, ekspertë të Drejtësisë kishin kërkuar publikisht nga prokuroria të hetojë ndodhitë në këtë institucion, por edhe nga prokuroria heshtin dhe nuk japin informacione në qoftë se potencialisht ka elemente të veprës penale në procedurën e shkarkimit të Damevës nga ish-zyrtari I lartë I BDI-së, tash zëvendës kryetar i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ministri Mexhiti: Gjendja në shëndetësi është alarmante

    Lajmi i rradhës

    POLITIKANËT XHEPAT PLOT / Zyrtarët në RMV filluan të marrin pagat me rritje marramendëse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë