Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, ka folur në lidhje me procesin gjyqësor ndaj të dënuarve për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017, duke lëshuar deklarata që kanë nxitur reagimin në opinion.
Sipas presidenit Stevo Pendarovski, personat të cilët sulmuan deputetët dhe gazetarët më 27 prill, nuk janë terrorist. Në një intervistë për “Kanal 5”, ai tha se vepra “rrezikim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”, nuk ishte vepra për të cilën duhej të ndiheshin penalisht personat tashmë të dënuar.
Përveç kësaj, presidenti tha se dënimet e të dënuarve ishin të larta dhe mbështet një rigjykim për rastin e 27 prillit, vetëm nëse ka prova të reja.
“Unë nuk mendoj aspak se njerëzit që hynë brenda janë terroristë, madje edhe ata që sulmuan fizikisht njerëz. Ata që sulmuan fizikisht njerëzit i meritojnë ndëshkimet që i morën. Ata që vetëm hynë në ndërtesën e Kuvendit nuk mund të thuhet se janë terroristë. Në këtë moment unë mbështes rihapjen e procesit, nëse ka prova të reja, dëshmitarë të ri të cilët do të hedhin dritë mbi ngjarjen nga një kënd tjetër që do të tregojë se nuk është ashtu siç ishte provuar në gjykimin e parë, ne mund të flasim për këtë”, deklaroi Stevo Pendarovski.
Qëndrimet e tilla të shprehura nga presidenti vijnë vetëm disa ditë pas protestës së organizuar nga VMRO-DPMNE, prej ku kërkojnë rigjykim të rastit. Edhe kryetari i kësaj partie Hristijan Mickoski, thotë se ata nuk ishin terroristë.
Ndryshe, Gjykata Penale e Shkupit i dënoi 16 persona me burgim të përgjithshëm prej 211 vjet, ndërsa Gjykata e Apelit i uli dënimet në 188 vjet.
Ndërkohë ka nisur procesi gjyqësor edhe ndaj të dyshuarve si organizator të ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, në mesin e të cilëve janë: Nikolla Gruevski, Trajko Veljanovski dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të VMRO-DPMNE-së. /Nistori/