Pendarovski: për president shqiptar në RMV, duhet mbështetje nga të gjitha grupet etnike

    Talat Xhaferi është kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili do të drejtojë qeverinë teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Lidhur me emërimin e tij në këtë detyrë të rëndësishme, ka folur për Euronews Albania presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Pendarovski është shprehur se me Talat Xhaferin njihen edhe privatisht që më herët dhe shtoi se ai është i paanshëm dhe korrekt në punën e tij.

    “Në 20 vitet e shkuara që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit shqiptarët janë të përfaqësuar shumë më shumë në institucionet shtetërore të sistemit dhe nuk ka një funksion qoftë qeveritar, qoftë në atë shtetëror që të mos jenë të përfaqësuar. Edhe vetë shqiptarët kanë bërë një përparim të madh në këto 22 vite në këtë drejtim dhe këtë mund t’ua thonë edhe vetë. Domethënë ne në vitet e kaluara dhe në këto dy dekada, kemi shqiptarë në të gjitha pozicionet e larta shtetërore. Si numër mendoj se është mirë të theksohet se, nëse në vitin 2001 kishte vetëm 2,4% në të total në të gjitha institucionet, tani ky numër është te 21% dhe është e rëndësishme të them se këta numra nuk janë shpërndarë drejt në nivelet poshtë dhe lartë në funksionet politike, mund të them se shqiptarët kanë qenë në pozicionet më të larta shtetërore. Kishim shqiptar kryetar të parlamentit tani kemi shqiptar kryeministër dhe nuk dyshoj aspak se do të vijë një ditë që mund të ketë president shqiptar nëse do të fitoj votat e të gjithë etnive siç ndodhi në rastin tim.

    Me zotin Xhaferi punojmë edhe zyrtarisht, por edhe njihemi personalisht vite më parë. Praktikisht që nga funksionet e tij të para në poste të larta, fillimisht si zv.ministër  dhe më pas si Ministër i Mbrojtjes në qeveritë e mëpasshme në vitet 2007-2008. Unë atëherë isha si këshilltar për çështje të sigurisë kombëtare pranë presidentit Cërvenkovski në atë kohë dhe e njoh mirë edhe në linja zyrtare. Domethënë që atëherë e deri tani, zoti Talat Xhaferi punon në mënyrë profesionale, është i paanshëm dhe me një përkushtim total për çdo funksion që i është besuar dhe kjo ka qenë një nga arsyet se përse grupi parlamentar atëherë i drejtuar nga LSDM në vitin 2017, kohë në të cilën edhe unë isha deputet, i dha besimin që të ishte kryetari i parë i parlamentit maqedonas që vinte nga bashkësia etnike shqiptare në periudhën post komuniste.

    Ju thashë edhe në përgjigjen e pyetjes së parë posti im është falë votës së të gjithë votuesve të të gjitha etnive duke përfshirë edhe maqedonasit që përbëjnë numrin më të madh ne shtetin e Maqedonisë, kuptohet. Domethënë në këtë funksion shihet edhe roli im, dhe në këto 5 vite kam qenë i barabartë/gjithëpërfshirës për të gjitha bashkësitë etnike. Sa i përket kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore jam përpjekur ti ndihmojë të gjithë ato pavarësisht etnitetit të tyre me qëllim që të fitojnë vendin e tyre të merituar në shoqërinë tonë multietnike.

    Sa i përket etnitetit shqiptar sinqerisht që më vini në një pozicion jo komod pasi nuk dua të flas për atë që kam arritur në aspektin e përgjithshëm gjatë mandatit tim, por meqë jeni të interesuar si media, mund të them se shqiptarët në këto 5 vjet në nivelet që janë në kompetencat e mia dhe që janë në mbrojtja, siguria dhe politika e jashtme kanë arritur në nivelet më të larta drejtuese dhe praktikisht kemi një shqiptar që është drejtor të agjencisë së inteligjencës, në kabinetin tim një nga këshilltarët kyç që është këshilltari për sigurinë kombëtare është shqiptar, kemi shqiptar që është gjeneral në ushtrinë maqedonase të cilin e kam promovuar unë e kështu me radhë, por do ta kuptoni pse s’dua të flas shumë për këtë temë  pasi duhet që qytetarët e Maqedonisë të flasin për këtë temë.

    Nuk e di nëse flisni për këto 5 vjet si president apo për 20 vitet e shkuar pasi kam qenë në poste të larta në kabinetet e dy presidentëve të mëparshëm. Nëse do të merret angazhimi im në total në shërbim të shtetit atëherë momenti më i vështirë ka qenë viti 2001 gjatë së cilit ia arritëm falë politikës së balancuar dhe të urtë të kryeministrit të asaj kohë zotit Cërvenkovski dhe subjekteve politike, përkatësisht partive të cilat e dinin se rruga e Maqedonisë drejt stabilitetit kalonte vetëm duke qenë pjesë e strukturave euroatlantike dhe bashkëjetesës me shqiptarët dhe bashkësitë e tjera etnike.  Kaluam  të gjithë atë golgotën prej shtatë-tetë muajsh të vitit 2001. Arritëm në atë marrëveshjen Kornizë të Ohrit e cila edhe sot e kësaj ditë është gur themeli i kësaj Maqedonie multietnike e cila në këto 22 vjet nuk ka më probleme të madha sigurie dhe ndërkohë u bë edhe anëtare e NATO-s dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm për një shtet i cili më parë ishte në konflikt.

    Në marrëdhëniet e mia si president në raport me të gjithë kolegët/homologët e mi udhëhiqem nga një parim se atë që kanë zgjedhur qytetarët e tyre ai është bashkëbiseduesi im legjitim. Kështu që me të dy presidentët që përmendet të R. Shqipërisë kemi edhe me zotin Meta edhe me presidentin aktual Begaj kam një komunikim të shkëlqyer. Megjithatë ja dolëm që në atë periudhë të realizojmë një bashkëpunim produktiv privat edhe jashtë sferës politike. Jemi takuar dhe kemi folur shpesh edhe për tema që s’janë politike, ndërsa sa i përket  politikës kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera ashtu siç janë të shkëlqyera edhe marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Pendarovski.

    Lajmi Paraprak

    Geer: jemi të shqetësuar për zbatimin e dobët të rekomandimeve të KShPK-së

    Lajmi i rradhës

    “Arritja më e madhe e BDI-së është biznesi i kazinove”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë