Pensionistë nga i gjithë vendi, protestë në Shkup, ata kërkojnë rritje lineare të pensioneve

    Pensionistët nga mbarë vendi u mblodhën në Shkup mesditën e së hënës për të protestuar. Me autobusë erdhën nga të gjitha qytetet dhe u tubuan para Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve. Kërkesat e tyre janë që të kenë rritje lineare të pensioneve për 3,500 denarë nga shtatori. Ata kërkojnë që ¼ e atyre që marrin pensione minimale të kenë rritje aq sa është paga minimale në vend. Mijëra pensionistëve nuk iu bashkëngjiten krerët e Lidhjes së Sindikatave, por revolta e këtyre që kanë dal në rrugë ka arritur kulmin.

     “Ky popull me vet faktin që ka ardhur këtu, nuk ka se ku të shkoj më keq. Këta njerëz që janë mbledhur kanë një zor. Ata nuk duhen të fshihen pas policëve, nëse janë me popullin të dalin këtu se me paratë tona jetojnë, shumë para marrin nga ne,” u shpreh një pensionist.

      “Nga viti 2012 paga minimale ishte rreth 12 mijë denarë tani ka kaluar 20 mijë denarë, që nënkupton rritje 50%, pensionet nuk janë rritur aq sa duhet,” tha një pensionist tjetër.

     “78% e pagave që rritën funksionarët, ato para tu ndahen 95 mijë pensionistëve me të ardhura minimale sepse Maqedonia është e të gjithëve, ne po paguajmë shtrenjtë, nuk kemi bukë të hamë kërkojmë në kontejnerë. Turp!”- tha një tjetër qytetar.

     Marshi protestues vazhdoi drejt Ministrisë së Punës dhe Politikës sociale. Të moshuarit, sa nga pleqëria aq edhe nga vapa mezi arritën para godinës. Fjalimet publike filluan derisa u mbush sheshi VMRO. Organizatorët thanë se autoritetet duhet t’i marrin parasysh kërkesat e tyre. Thonë se Fondi Pensional ka arkë të mjaftueshme për t’i përballuar rritjet e pensioneve.

     “Tani që jemi në pension edhe pak jetë na ka mbetur në këtë botë, meritojmë jetë me dinjitet, prandaj Ministre shtrijeni dorën ju dhe të punësuarit tuaj, punoni për atë që jeni zgjedhur dhe për atë që ne kërkojmë,” tha Dragan Ugrinovski, Pensionist.

     “Nëse nisemi nga 2018 e këtej, paga mesatare është rritur për 13 mijë denarë, paga minimale është rritur për 11 mijë denarë, kurse rritja mesatare e pensioneve tona është bërë vetëm 4,900 denarë. Ata me ministren na ofruan 6%, nëse bëjmë krahasim me 78% të tyre sa është dallimi. Kur të shkojmë në markete nuk shkruajnë çmimet për pensionistët dhe për të tjerët që marrin shumë. Edhe në barnatore çmimet janë të njëjta, po ashtu edhe në pazare,” tha Vaska, Pensioniste.

     Polemika pati edhe për keqpërdorimin e fondit të tyre të mbledhur nga participimi, të cilat sipas tyre arkëtohen miliona euro brenda vitit dhe nuk dihet se ku shkojnë. Përfaqësuesit e pensionistëve nga i gjithë vendi nënshkruan një peticion me këto kërkesa dhe ia parashtruan Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Kjo e fundit pritet të shqyrtoj kërkesën për të dal me një propozim. Parashikimet janë që me pensionin e shtatorit rritja e pensioneve të jetë vetëm 6%, gjë e cila nuk pranohet nga shumica. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rusia e sulmon Odesën me raketa dhe dronë, rriten luftimet në jug dhe lindje të Ukrainës

    Lajmi i rradhës

    Seminari i Gjuhës në mbrojtje të shqipes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë