Pensionistët në Maqedoninë e Veriut me një mesatare prej afër 345 euro pranojnë së paku tre herë më pak se pensionistët evropian. Megjithatë, më pak se gjysma e konsumatorëve në BE janë të bindur se do të kenë para të mjaftueshme për të jetuar të qetë gjatë gjithë daljes në pension. Në disa vende ky nivel besimi bie në 30 për qind ose edhe më pak. Kjo ngre shqetësime për të drejtën e pensionit, tregon analiza e Euronjuz Biznes.
Sipas Eurostat, pensionet e pleqërisë në të gjithë Evropën ndryshojnë ndjeshëm si në shumat nominale ashtu edhe në standardet e fuqisë blerëse (PPS). Për të thjeshtuar të dhënat, Euronjuz Biznes i konvertoi të ardhurat vjetore të pensioneve në shuma mujore duke i ndarë ato me 12 muaj.Në vitin 2021, shpenzimet mesatare mujore bruto për pensionin e pleqërisë për përfitues brenda BE-së variuan shumë, nga 2575 euro në Luksemburg deri në 226 euro në Bullgari, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 1224 euro.
Më dobët se Maqedonia, pensionet janë në Shqipëri me 150 euro dhe në Kosovë. Në Kosovë numri i pensionistëve sillet nga 180 mijë deri në 200 mijë ndërsa prej tyre rreth 70 mijë janë pensionistë kontribut pagues që tashmë u njihet kontributi para viteve të 90-ta. pensionet në Kosovë sillen nga 100 e deri në 265 euro varësisht nga kontributi në fondin pensional që kishte Kosova, i cili është tërhequr nga administrata serbe në përfundim të luftës.
Nga shtetet e rajonit, pensionet në Mal të zi janë afër 500 euro, në Kroaci janë 585 euro, Në Bullgari janë 470 euro, në Serbi-371 euro…Në Maqedoni me pensionin e muajit prill, ato u rritën me 600 deri 800 denarë. Rreth 40 për qind e pensionistëve, ose 140 mijë, i përkasin grupit më të ulët. Jetojnë me 12.500 deri në 16 mijë denarë në muaj. Pensionistët ankohen se nuk do ta ndiejnë as harmonizimin e pensionit prej 5.3 për qind, që u takon me ligj. Jeta po bëhet më e shtrenjtë, dhe një mijë denarë në një dyqan nuk vlen asgjë ankohen pensionistët. Nga 337 mijë pensionistë, 93 mijë marrin pension nga 20 deri në gati 32 mijë denarë. Pensionet e tyre u rritën për rreth 1250 denarë. Pensionet e të cilëve variojnë nga 30 deri në 50 mijë denarë pranuan 2000 plus në llogarinë e tyre. Më pak se 1 për qind e pensionistëve, pensioni i të cilëve është mbi 54.000 denarë, kanë rritje për gati 3.000 denarë, ndërsa pensionet më të larta në vend, të cilat arrijnë deri në 76.000 denarë dhe i gëzojnë vetëm 19 pensionistë, po marrin 3.800 denarë shtesë.
Gjysma e pensionistëve në vend marrin prej 16 deri 20 mijë denarë. Ekzekutivi i ri premton rritje më të madhe pensionesh. Është paralajmëruar ndryshimi i metodologjisë apo rritje lineare e pensioneve.
Për të përmbushur premtimin zgjedhor për rritje lineare të pensioneve prej 5.000 denarë, VMRO-DPMNE do ta shfuqizojë metodologjinë aktuale për harmonizimin e pensioneve me shkallën e inflacionit dhe rritjen e pagës mesatare. Kështu theksoi në një emision debatues, nënkryetarja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Ajo tha se rritja do të realizohet pjesërisht gjatë këtij viti, ndërsa plotësisht deri në mars të vitit të ardhshëm.VMRO-DPMNE nuk specifikon se çfarë do të bëhet më pas, gjegjësisht pas formimit të qeverisë, se në çfarë mënyre do të harmonizohen pensionet në vitet në vijim, qoftë linearisht apo do vazhdohet me metodën aktuale, varësisht nga rritja e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare.Nga VMRO thonë se do përpiqen t’i shkurtojnë të gjitha shpenzimet joproduktive dhe t’i ridrejtojmë atje ku duhet.
Lidhur me pyetjen se nga vijnë paratë për pensione linearisht më të larta prej pesë mijë denarë, kryeministri i ri Hristijan Mickoski thekson dr në buxhet ka një zë “transferet tjera” që në vitin 2016 ishte 28 miliardë denarë, ndërsa vitin e kaluar ishte 52 miliardë lekë që do të përdoren për pensione.
“Nga vijnë paratë?” Shume e thjeshtë. Transfertat që shkojnë për PIOM-in i shihni nga buxheti dhe i thoni në përqindje, por nëse shikoni transfertat e tjera në buxhet do të arrini në përfundimin e mëposhtëm. Transferet tjera në vitin 2016 janë 28 miliardë denarë, kurse në vitin 2023 janë 52 miliardë, që do të thotë se kemi një rritje prej 24 miliardë denarë, pra 400 milionë euro. Me siguri do t’i bëni vetes pyetjen, çfarë po bëjnë këta 400 milionë? Unë do t’ju jap përgjigjen. Asgjë, po abuzojnë me 400 milionët e tua. Nga këtu do të sigurojnë një pjesë të mjeteve që nevojiten për pensionistët dhe sigurisht edhe nga politikat tjera që VMRO-DPMNE do t’i zbatojë”, tha Mickoski.
Një pjesë e ekonomistëve bëjnë thirrje për kujdes për premtimet e rritjes së pensioneve, për shkak se sipas tyre kjo mund të destabilizojë Fondin Pensional.
Programi i VMRO-DPMNE-së parasheh 5000 denarë për secilin pensionist jo më vonë se fundi i vitit të parë, përkatësisht rritje për 25 për qind të pensioneve në vitin e parë. “Finance Think mbetet në qëndrimin e shprehur në disa raste se rritja e pensioneve, e cila devijon nga formula e përafrimit të tyre me rritjen e pagës mesatare dhe rritjen e çmimeve, do të prishë rrugën e stabilizimit të Fondit të Pensioneve PIOM, që kaloi një reforme të butë në vitin 2018 që mundësoi atë stabilizim”, thuhet në analizën e Fajnens Think. Nga LSDM thonë se kur u formua Qeveria në vitin 2017, u trashëgua një deficit në sistemin pensional, ajo që shteti i jep fondit pensional përmes buxhetit qendror me 48 për qind. Në vitin 2024, me punë me nikoqirllëk , ky deficit ulet në 32.5 për qind. Kjo flet për stabilitetin e Fondit, me një tendencë që ai deficit të shkojë shumë më poshtë. Me rritjen lineare prej pesë mijë denarë të paralajmëruar vlerësohet se deficiti për një vit do të rritet në 52 për qind. /Koha/