Për herë të parë në Kosovë e rajon, do të hapet qendra e referimit për rastet e dhunimeve seksuale

    Për herë të parë në Kosovë e rajon, pritet të hapet qendra e referimit të trajtimit të rasteve të dhunimeve seksuale.

    Brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, në muajt e ardhshëm pritet që të funksionalizohet edhe një qendër, e cila do të shërbejë vetëm për rastet e trajtimit të dhunimeve seksuale.

    Themelimi i një qendre të tillë, është e paraparë edhe me Protokollin shtetëror, për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, e cila është në fuqi tash e një vit.

    Nga Ministria e Drejtësisë kanë treguar se çka do shërbejë kjo qendër, që është e para në rajon.

    “Kjo qendër do të shërbejë për ekzaminimin, trajtimin, evidentimin e rasteve përmes provave sepse provat janë ato që janë tepër të rëndësishme dhe provat janë ato që vërtetojnë dhunimin. Kjo qendër do të jetë e pajisur me pajisje të saja, dhe në këtë drejtim ne do bashkëpunojmë me EULEX-in, dhe besoj se shumë shpejt do ta funksionalizojmë si qendër e referimit, ku përveç ofrimit të shërbimeve të duhura, ashtu siç janë të parapara me protokoll, do jetë edhe ana e trajtimit psikologjik”, ka deklaruar për TV Dukagjinin Nazlie Balaj – këshilltare politike në MD.

    Derisa, Balaj thotë se funksionalizimi i saj parashihet në 6 mujorin e parë të këtij viti, në Qendrën kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës shpresojnë që sa më shpejtë të fillojë punën kjo qendër.

    “Është dashur më herët të jetë kjo qendër, por edhe tani nëse Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Qeveria e Kosovës ndan fonde për ndërtimin e një qendre të tillë, ne besojmë se shumë shpejtë do funksionalizohet dhe do u shërbejë viktimave të dhunës seksuale”, është shprehur Fatmire Haliti – QKRMT.

    Haliti shton rëndësinë e kësaj qendre për viktimat.

    “Viktimat deri më tani janë bartur prej një institucioni në tjetrin për t’iu marrë deklaratat e tyre apo për t’iu ofruar shërbimet e tjera, është dashur të lajmërohen në qendrën për punë sociale, të shkojnë në IML, për ekzaminime mandej për institucione shëndetësore, mandej me dhënë deklaratën në prokurori, edhe në procese të tjera. Pra për t’i evituar të gjitha këto hallka një riviktimizim të tillë, është propozuar që të ketë një qendër të tillë”, ka vijuar ajo.

    Sipas të dhënave të policisë së Kosovës, gjatë vitit 2023, janë paraqitur 100 raste të dhunimeve e 67 të sulmeve seksuale.

    Lajmi Paraprak

    Nuk ka rëndësi çka hani, por edhe kur hani

    Lajmi i rradhës

    REAGIME NGA PARLAMENTET STUDENTORE: Pritet rritja e çmimit të participimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë