REAGIME NGA PARLAMENTET STUDENTORE: Pritet rritja e çmimit të participimit

    Në një universitet shtetëror ku studimi duhet të jetë falas bëhet e ditur se po shqyrtohet propozim për rritjen e participimit. Në universitetin “Kirili dhe Metodi” studentët me kuotë private deri tani kanë paguar nga 200 euro ndërsa ata me kuotë shtetërore nga 100 euro, kurse për shkak të rritjes së kostos së punës, bëhet e ditur se propozimi për rritjen e participimit i është dorëzuar fakulteteve nga rektorati i UKM-së.

    Ndërkaq, për shumicën e studentëve, çdo rritje e tarifave do të ishte e papranueshme. Ata shprehen se rritja e tillë do të ishte mirë nëse pagesën do ta bënte qeveria, por fatkeqësisht gjithmonë paguhet nga vetë studentët.

    “Gjithçka është e ngritur, kemi inflacion të lartë dhe dikush dëshiron ti godasë pas shpine studentët. Studimi në universitetet shtetërore duhet të jetë falas”, u shpreh një student i vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik në UKM. Të tjerë e konsiderojnë të domosdoshëm mobilizimin e organizatave studentore në mënyrë që të pengohet zbatimi i kësaj ideje.

    “Kam dëgjuar që participimi do të rritet dhe duhet të reagohet menjëherë, të gjitha organizatat studentore duhet të bashkohen dhe ta kundërshtojnë propozimin derisa është në fazën fillestare”, tha një studente e Fakultetit Filozofik.

    Ndërsa rektorja e UKM-së Biljana Angelova derisa sqaron propozimin e ardhur pikërisht nga rektorati, thekson se arsyeja e rritjes është pikërisht rritja e shpenzimeve të punës dhe ushtrimeve që bëhen në universitet. Ajo gjithashtu theksoi edhe zotimet e rektoratit që nëse do të ketë rritje të çmimit të participimit, ajo do të mbulohet nga qeveria dhe jo të bie në kurriz të studentëve.

    “Do të kërkojmë pëlqimin e qeverisë për rritjen e kostos kur të shpallet konkursi për regjistrim. Do të kërkojmë që shpenzimet të mbulohen nga qeveria, apo konkretisht nga MASH”, tha Angelova.

    Gjithsesi, ajo u shpreh se kjo është në shqyrtim dhe asgjë nuk është zyrtare, dhe në periudhën e ardhshme parlamentet studentore në UKM do të mbajnë një seancë ku do të diskutohet për këtë propozim.

    Edhe pse ende nuk ka një vendim rreth këtij propozimi, studentët dhe organizatat studentore po shprehen kundër idesë për rritjen e kuotave të participimit në UKM. Në mesin e tyre po spekulohet se bëhet fjalë për dyfishim të çmimit, pra, në vend të 100 eurove do tu kërkohet 200 euro, dhe në vend të 200 eurove do të paguajnë nga 400 euro. Me reagim doli edhe Parlamenti studentor ku qartësuan se qëndrimi i tyre dhe i administratës së rektoratit ishte që barra financiare të mos bie mbi studentët por kërkesat ti drejtohen qeverisë.

    “Ky ishte i vetmi kusht i pranuar nga Parlamenti studentor që të mos cenohet standardi studentor”, thuhet në reagimin e tyre.

    Më radikalët në reagim ishin nga organizata “Rezistenca Studentore”, nga ku paralajmëruan edhe protesta.

    “Si organizata më autentike që mbron të drejtat e studentëve kjo nga shqetëson seriozisht sepse në këtë mënyrë do të parandalohej mundësia e aksesit në arsimin e lartë për kategoritë e cenueshme sociale. Bëjmë apel që menjëherë ta tërhiqni këtë ide përndryshe do të na shihni në rrugë”, thonë nga atje.

    Nga ana tjetër, nga MASH bëjnë me dije se janë në dijeni të gjithë procedurës dhe sigurojnë studentët se asnjë vendim që ndikon në procesin e tyre arsimor nuk do të merret pa përfshirjen e organizatave që përfaqësojnë qytetarët e ardhshëm akademik.

    “MASH e respekton parimin e gjithë përfshirjes gjatë krijimit të politikave dhe marrjes së vendimeve, ndaj sigurojmë studentët se asnjë vendim i cili ndikon në procesin e tyre arsimor nuk do të merret pa përfshirjen e organizatave që përfaqësojnë qytetarët e ardhshëm akademik. Shumat për participim mbeten identike si më parë”, thanë nga MASH.

    Sipas ligjit aktual për arsim të lartë, participimi është i përcaktuar nga qeveria e që paguhet nga studentët e regjistruar në një institucion publik të arsimit të lartë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Për herë të parë në Kosovë e rajon, do të hapet qendra e referimit për rastet e dhunimeve seksuale

    Lajmi i rradhës

    Pse një fëmijë bullizon bashkëmoshatarët?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë