Për shkak të llogarisë së bllokuar të komunës së Tetovës, ende nuk janë paguar anëtarët e këshillave zgjedhorë të zgjedhjeve lokale

    Foto: Nistori

    Për shkak të bllokimit të llogarisë së komunës së Tetovës, anëtarët e këshillave zgjedhorë dhe komisioneve komunale të zgjedhjeve ende nuk kanë marrë pagesat për zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor. Bëhet fjalë për 1170 persona nga 177 këshilla zgjedhorë dhe të gjithë anëtarët e komisionit komunal zgjedhor Tetovë, shkruan tetovoinfo, përcjell Nistori.

    “Komuna jonë ka llogari bankare të bllokuar dhe si komision komunal i zgjedhjeve të Tetovës dy herë i kemi dërguar shkresë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që anëtarëve të këshillit zgjedhor dhe anëtarëve të KKZ-së t’i bëhet kompensimi. Presim që zyrtarisht të na informojnë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve”, tha Nazmi Dauti, sekretar i KKZ-së së Tetovës.

    Probleme të tilla të komisioneve komunale të zgjedhjeve kanë ekzistuar edhe më parë, ndaj zgjidhja është në Ministrinë e Financave, e cila gjen mënyrën për t’i paguar këto tarifa.

    “I kemi dërguar një shkresë Ministrisë së Financave ku sqarojmë të gjithë situatën dhe i kërkojmë zgjidhje, për të gjetur mënyrën e duhur për të paguar anëtarët e këshillave zgjedhore. Edhe më herët kemi pasur situata të ngjashme me komunat tjera dhe më pas Ministria e Financave ndihmon në përputhje me mundësitë ligjore”, tha Admir Shabani, zëdhënës i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

    Për pagesën e të gjithë 1170 anëtarëve të bordeve dhe KKZ-ve nevojiten 12 milionë e 200 mijë denarë për pagesë.

    Lajmi Paraprak

    “Paga minimale duhet të rritet bashkë me rritjen e ekonomisë, dhe jo me vendim politik”

    Lajmi i rradhës

    Tetë javë nuk kanë marrë para, protestojnë shoferët e autobusëve privat të linjës 19

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë