Përfaqësim i ulët i shqiptarëve në Shkollën e Policisë, Iseni: interesimi nuk ishte në nivelin e pritur

    Pas raportimeve për përfaqësimin tejet të ulët të shqiptarëve në gjeneratën e re të Shkollës së Mesme të Policisë në Shkup, ka reaguar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, shkruan Nistori.

    Në mesin e 310 kandidatëve të pranuar në shkollë rezultojnë vetëm nëntë shqiptarë, ndërsa Iseni thotë se kjo situatë nuk duhet të interpretohet si përjashtim i shqiptarëve nga procesi. Sipas tij, interesimi i të rinjve shqiptarë për konkursin ka qenë më i ulët se pritshmëritë, ndërsa një pjesë e atyre që kishin aplikuar nuk janë paraqitur në fazën e testimit.

    Iseni tha se çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë duhet të trajtohet mbi bazën e transparencës dhe fakteve dhe jo, siç u shpreh ai, të përdoret për përfitime politike.

    “Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë është përgjegjësi që e marrim seriozisht. Për këtë arsye, çdo proces që ndikon në përfaqësimin e shqiptarëve duhet të trajtohet me transparencë, përgjegjësi dhe mbi bazën e fakteve, e jo të shfrytëzohet për përfitime politike”, deklaroi Iseni.

    Sipas zëvendësministrit, Akademia Policore po rikthehet pas 26 vitesh, ndërsa institucionet, siç thotë ai, që nga fillimi i procesit kanë bërë thirrje që sa më shumë të rinj shqiptarë të aplikojnë.

    Megjithatë, Iseni pranon se interesimi nuk ka qenë në nivelin e pritur.

    “Interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë afër pritshmërive tona. Edhe nga ata që kanë aplikuar, një numër nuk janë paraqitur në fazën e testimit, duke u tërhequr faktikisht nga gara”, tha ai.

    Ai kundërshton pretendimet se shqiptarët janë përjashtuar nga procesi, duke argumentuar se për një vlerësim të tillë duhet të dihet numri i kandidatëve shqiptarë që kanë aplikuar, atyre që kanë vazhduar procedurën dhe atyre që kanë përmbushur kriteret.

    “Është e pandershme politikisht të thuhet se shqiptarët janë ‘përjashtuar’, pa treguar sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë plotësuar kriteret e përcaktuara”, deklaroi Iseni.

    Megjithatë, pikërisht këto të dhëna konkrete nuk bëhen të ditura në reagimin e zëvendësministrit. Iseni nuk specifikon sa shqiptarë kanë aplikuar në konkurs, sa prej tyre nuk janë paraqitur në testim, sa janë eliminuar gjatë fazave të përzgjedhjes dhe për çfarë kriteresh, të dhëna që do të mundësonin një vlerësim të plotë të shkaqeve të përfaqësimit kaq të ulët në listën përfundimtare.

    Ai shtoi se MPB-ja nuk do të lejojë që procesi të përdoret për të krijuar, sipas tij, ndjenjën e përjashtimit te qytetarët shqiptarë.

    “Luftojmë për përfaqësim real, mundësi të barabarta dhe qasje të drejtë në çdo institucion”, përfundoi Iseni.

    Lista përfundimtare përmban 310 kandidatë të pranuar, ndërsa vetëm më pak se 10 prej tyre rezultojnë shqiptarë, çka përbën më pak se 3 për qind të numrit të përgjithshëm të të pranuarve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Dyshime për skemë në MPB: kategori C dhe D pa dhënë provim, për 1.400 euro

    Lajmi i rradhës

    Struga me 30 paralele më pak nga shtatori, katër shkolla periferike drejt mbylljes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë