Përfaqësues të OJQ-ve: Pse BE-ja sillet si dyfytyrëshe, raciste dhe ksenofobe ndaj refugjatëve

    Të paktën 2.3 milion shtetas ukrainas kanë lëshuar vendin e tyre. Bilanci i referohet luftës dyjavore. Vendet e BE-së janë destinacioni i tyre i preferuar.

    Ngrohtësia që kanë treguar shtetet anëtare të perëndimit i ka dëshmuar botës një qasje me standarde të dyfishta. Përderisa refugjatët nga lindja e mesme prej vitesh kërkojnë rrugë alternative të rrezikshme për të arritur deri në Evropë duke u përballuar me brutalitet policor dhe krim të organizuar, ndaj refugjatëve ukrainas BE-ja po dëshmon një qasje ndryshe, thonë aktivistet e shoqatave humanitare. Jasmin Rexhepi nga Shoqata “Legis” thotë se vendet e BE-së qasje të tillë po tregojnë edhe me procedurat për azil kërkim.

    “Për fat të keq duhet të them se kjo që shohim tani edhe njëherë konfirmon dyfytyrësinë e disa shteteve europiane. Flas për bllokun perëndimorë, pra vendet e BE-së të cilat deri para dy javës, para se të fillonte agresioni në Ukrainë i kishin rreshtuar forcat e tyre në kufirin me Bjellorusinë për të penguar valën e refugjatëve që ndodheshin atje dhe donin të kalonin në BE”, tha Jasmin Rexhepi, Shoqata “Legis”.

    Sipas Rexhepit një qasje të tillë e ka dëshmuar edhe Maqedonia e Veriut.

    “Për fat të keq para 2 ditësh në ditën e gruas në Llojan kemi një grua nga Kongo e cila ndërroi jetë në oborrin e xhamisë. Pse? Sepse ata njerëz nuk e kanë trajtimin e njëjtë për të arritur deri në territoret e BE-së dhe duhet patjetër të gjejnë rrugë të rrezikshme në të cilat humbin edhe jetët e tyre. Çfarë qasje është kjo? Çfarë do të thotë me këtë BE-ja përveç se të shpreh dyfytyrësi, racizëm dhe ksenofobi”, u shpreh Jasmin Rexhepi, Shoqata “Legis”.

    Pjesa dërmuese e refugjatëve ukrainas janë sistemuar në Poloni, ndërsa rreth 200 mijë ka në Hungari. Në shtetet tjera të BE-së si Sllovaki, Rumani dhe Gjermani ka më pak refugjatë. Rreth 100 mijë ndodhen në Rusi dhe gati po aq në Moldavi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shkollat në Tetovë përballen me problemin e ngrohjes qendrore

    Lajmi i rradhës

    Dita II e protestave në Shqipëri kundër rritjes së çmimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë