Përpos pagave, shteti duhet t’i qaset me seriozitet edhe cilësisë në arsim

    Nevoja për reforma në arsim është ngritur edhe gjatë debatit rreth situatës së arsimit që sot u organizua në Shkup.

    Përpos rritjes së pagave në arsim, shteti duhet t’i qaset më me seriozitet edhe rritjes së cilësisë së arsimit në vend. Ky ishte konkludimi i pjesëmarrësve në debatin publik në lidhje me grevën e mësimdhënësve që po zhvillohet, të organizuar nga Instituti për Politika Publike, Arben Xhaferi dhe Qendra Analitike e ASH-së. Ekonomisti, Abil Baush theksoi nevojën për reforma në arsim edhe nëse ata nuk do të jenë të lehta për të gjithë.

    ABIL BAUSH, EKONOMIST

    “Plane dhe programe mësimore nuk kemi të sakta, kemi punuar në shumë programe mësimore, shumë kualitative por ato janë humbur, do të thotë ne nuk i kemi më ato programe mësimore dhe kjo është shumë e rëndësishme të dihet. Do të thotë nëse fillohet reforma në arsim ndërpritet diku në një cep, nuk i pëlqen dikujt. Reformat janë të rënda, janë të hidhura por, njëfarë revolucion në vete të cilat duhet të bëhen në arsim”.

    Blendi Hodai nga Forumi për ndryshime në arsim porositi se, është shumë e rëndësishme që t’i jepet më shumë prioritet politikave arsimore. Siç tha ai, në tridhjetë vite që kur është e pavarur Maqedonia e Veriut, arsimi asnjëherë nuk ka qenë prioritet i qeverive.

    BLENDI HODAI, FORUMI PËR NDRYSHIME NË ARSIM

    “Nuk mundemi të kemi një shtet dhe ekonomi të zhvilluar pa mos e pasur një arsim të zhvilluar. Është absolutisht e paimagjinueshme t’u thuash ne do të duhet të kemi një shtet zhvillimor ndërsa arsimin ta kemi të pazhvilluar. Fatkeqësisht në 30 vitet e fundit ne kemi një sistem arsimor nga arsimi fillor, i mesëm dhe i lartë që është me afat të skaduar”.

    Ndërkohë, deputetja e ASH-së, Ilire Dauti tha se, mësimdhënësit këto ditë kalojnë ditë të vështira për faktin se, vështirësive financiare të cilat i çuan ata për të hyrë në këtë grevë ju shtuan edhe elemente tjera të natyrës emocionale për faktin se as një mësimdhënës, asnjë pedagog nuk do të donte t’i shihte nxënësit e vet teksa i humbin orët e mësimit.

    ILIRE DAUTI, DEPUTETE E ASH-së

    “Është mirë ta kemi parasysh faktin se, çdo mësimdhënës nga roli i mësimdhënësit kur del nga vendi i punës veç më merr rolin e kryefamiljarit, prindit, gjyshit/gjyshes dhe kështu me radhë dhe paga e cila i jepet si rezultat e punës që bën në rolin e tij si mësimdhënës, do t’ia bëjë pastaj të mundur ose të pamundur që ta kryejë me sukses ose pa sukses rolin e tij që e ka si kryefamiljar, prind, gjysh e kështu me radhë”.

    Mësimdhënësit janë në grevë që nga dita e hënë. Ata kërkojnë rritje të pagave 18.4%. Edhe pse janë realizuar disa takime mes përfaqësuesve qeveritarë dhe SASHK-ut deri më tash nuk është gjendur zgjidhje. /KlanM/

    Lajmi Paraprak

    Ruskovska: Sonte do të ketë njoftim për një hetim nga ana e Prokurorisë

    Lajmi i rradhës

    Merret në pyetje nga policia studenti që protestoi kundër Besiana Mehmedit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë