Përse Kosova nuk është pjesë e OSBE-së?

    Për t’u bërë shtet anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nevojitet pajtimi i të gjitha shteteve pjesëmarrëse.

    Organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë numëron aktualisht 57 vende anëtare, që shtrihen në tri kontinente: Evropë, Amerikë e Veriut dhe Azi.

    Në mesin e tyre janë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, por jo edhe Kosova.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – e shpallur në vitin 2008 – dhe kundërshton pjesëmarrjen e saj në organizata rajonale e ndërkombëtare.

    Për më tepër, ajo ka edhe mbështetjen e Rusisë, e cila po ashtu është anëtare e OSBE-së.

    Në radhët e kësaj organizate janë edhe Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën – ashtu si edhe shtete të tjera mosnjohëse.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë se a planifikon të aplikojë për anëtarësim në OSBE dhe ku e sheh pengesën kryesore në këtë proces, por nuk mori përgjigje.

    Ngjashëm, as misioni i OSBE-së në Kosovë nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këtë temë, ndonëse konfirmoi marrjen e pyetjeve.

    Çka bën OSBE-ja në Kosovë?

    Çfarë është OSBE-ja?

    OSBE-ja, institucioni më i madh në botë i sigurisë ndërkombëtare, u themelua gjatë Luftës së Ftohtë si platformë për dialog mes shteteve perëndimore dhe shteteve të Bllokut Lindor.

    Me seli në Vjenë, Austri, kryeqytetin e një prej shteteve të pakta në Evropë që nuk është pjesë e NATO-s, OSBE-ja përbëhet nga 57 shtete anëtare, përfshirë Rusinë, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe pothuajse të gjitha shtetet në Evropë.

    Misioni i organizatës, i deklaruar që nga themelimi i saj më 1975, është “për të punuar për stabilitet, paqe dhe demokraci për më shumë se 1 miliard persona, përmes dialogut politik lidhur me vlerat e përbashkëta dhe përmes punës praktike që synon të bëjë një ndryshim të qëndrueshëm”.

    Organizata, po ashtu, ka një trup parlamentar prej 323 anëtarësh – Asambleja Parlamentare e OSBE-së – detyra kryesore e të cilit, siç thuhet, është “të ndërmjetësojë dialogun ndërparlamentar për të avancuar qëllimet e OSBE-së për siguri gjithëpërfshirëse”.

    Këshilli i Përhershëm i OSBE-së mori vendim për themelimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë në korrik të vitit 1999 – pak javë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

    Misionit iu dha rol udhëheqës në çështjet që lidheshin me ndërtimin e institucioneve, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

    Ai është misioni më i madh në terren i OSBE-së, ndërsa mandati i tij është i përcaktuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe në vendimin numër 305 të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së.

    Misioni, aktualisht, ka pesë qendra rajonale – në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan.

    Në ueb-faqen e tij thuhet se ai është veçanërisht i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, monitorimin e gjyqësorit, lirinë dhe zhvillimin e medias, promovimin e mekanizmave kundër diskriminimit, përmirësimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën politike dhe publike e të tjera.

    Misioni i OSBE-së, po ashtu, bashkëpunon dhe mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, me qëllim të, siç thuhet, forcimit të kapaciteteve të tyre, në përputhje me standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare.

    Misioni mbështet edhe zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

    Aktualisht, në krye të tij është ambasadori Michael Davenport, diplomat britanik i karrierës.

    Kosova nuk merr pjesë në samitin në Shkup

    Duke mos qenë anëtare e OSBE-së, Kosova nuk merr pjesë në takimin ministror të kësaj organizate që zhvillon punimet sot dhe nesër në Shkup të Maqedonisë së Veriut – vendit që aktualisht kryeson OSBE-në.

    Samiti mbledh 76 delegacione nga 57 vende anëtare të OSBE-së dhe shtete partnere.

    Në mesin e të pranishmëve është edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

    Por, vëmendjen e mediave e mori prania e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

    Edhe pse i sanksionuar nga Perëndimi, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, Maqedonia e Veriut e lejoi pjesëmarrjen e tij në samit.

    Për rrjedhojë, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, njoftoi se nuk do të jetë i pranishëm.

    Pjesëmarrja e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

    Vitin e kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

    Në gati 16 vjet pavarësi, vendi ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

    Kosova nuk është ende as anëtare e Kombeve të Bashkuara, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) e të tjera.

    Pavarësia e Kosovës njihet nga 117 shtete.

    Serbia, në disa raste, ka zhvilluar fushatë kundër njohjes apo për çnjohje të Kosovës, përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Serbia paralajmëron hapjen e një shtabi policor në Preshevë

    Lajmi i rradhës

    Zhdukja e 14-vjeçares: “Kuriri” – ky shpifës i madh!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë