Petkov: Do t’i qëndroj fjalës për Maqedoninë, në vijim do të kemi vendim të Kuvendit Kombëtar

    Kryeministri bullgar në dorëheqje, Kiril Petkov, pak orë para fillimit të Samitit të BE-së, nga Brukseli tha se do ta mbajë fjalën dhe do të lërë që vendimin për Maqedoninë e Veriut ta marrë Kuvendi.

    “Ky vendim duhet të merret nga parlamenti bullgar. Unë e mbaj fjalën, pavarësisht se kush çfarë do nga unë. Nuk ka asnjë mundësi hipotetike për asgjë tjetër. Unë jam kryeministër i Bullgarisë dhe kur them diçka i qëndroj fjalës. Ajo që shpresoj është se në ditët në vijim do të kemi vendim të Kuvendit Kombëtar”, tha Petkov, transmeton BNT.

    Kryeministri në dorëheqje u tha gazetarëve në Bruksel se atij personalisht i pëlqente propozimi francez dhe mendonte se miratimi i tij do të ishte një mundësi historike për Bullgarinë, por se duhet bërë në mënyrën e duhur.

    Nga atje, ai kritikoi presidentin bullgar Rumen Radev për mosmbajtjen e një qëndrimi të vendosur për këtë çështje dhe për mosmbledhjen e Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare.

    “Nëse je president, thërret këshillin, ulemi bashkë, diskutojmë dhe dalim. Por maskat ranë, jam lodhur nga frikacakët. Do ta mbaj premtimin ndaj popullit bullgar dhe shpresoj se do të ketë diskutim të hapur sepse është një moment historik. Ky propozim është shumë i mirë, por çështja është se duhet pranuar në mënyrën e duhur”, tha Petkov.

    Ai kritikoi edhe opozitën për propozimin dhe këmbënguljen për miratimin e propozimit pasi dje deputetët e opozitës në Komisionin për Punë të Jashtme kërkuan fillimisht një projektvendim të qeverisë e më pas ata të deklarohen.

    “Nuk mund të dilni në televizion dhe të rrihni gjoksin se do të bëni diçka dhe pastaj të bllokosh Komisionin. Nuk besoj se dita e dytë nuk mund të sigurojë kuorum. A e dini pse nuk kanë kuorum? Sepse kanë frikë dhe nuk mund të zgjedhin as kryetar kuvendi. Ata janë frikacakë dhe mendojnë vetëm se si të manipulojnë. Nëse vërtet kanë një qëndrim, Komisioni do të mblidhet sot. Nëse jeni burrë shteti, shkoni në Komision dhe merrni një vendim”, tha Petkov, duke shtuar se deri atëherë qëndrimi bullgar mbetet i tillë.

    Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit Popullor dhe deputeti i Partisë Rilindja, Conço Ganev, deklaroi se deputetët e qeverisë dhe opozitës kërkojnë dhe insistojnë që sot në Komisionin për Punë të Jashtme të kalojë tema e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Se këmbëngulin për vendim, ai përmendi partitë në pushtet Vazhdojmë me ndryshimet (PP), Bullgaria Demokratike (DB) dhe BSP, si dhe opozita GERB dhe DPS.

    Agjencia e lajmeve BGNES raportoi se grupet parlamentare të GERB dhe DPS kishin dorëzuar projektvendim për miratimin e projekt-kornizës së negociatave dhe draft-konkluzionin e Këshillit të BE-së, të propozuar nga presidenca franceze.

    Nga BSP-ja, e cila ishte pjesë e qeverisë aktuale, së cilës  dje iu votua mosbesimi, tha sot në mëngjes se nuk do të mbështesin asnjë propozim për Maqedoninë e Veriut derisa Shkupi të përmbushë detyrimet e përcaktuara në Marrëveshjen e vitit 2017 dhe deklaratën e Kuvendit Kombëtar të Bullgarisë.Këtë qëndrim, siç raporton BNT, e ka dhënë kryetari i asamblesë së përgjithshme të partisë, Georgi Svilenski.

    Ndryshe, në ueb faqen e Kuvendit Popullor ka informacione për seancë të paraparë të Komisionit për Politikë të Jashtme në ora 15:00. Pika e parë e rendit të ditës është paraqitja e një mendimi dhe informacioni nga Ministria e Punëve të Jashtme për projekt-procesverbalin e seancës së përbashkët sipas nenit 12 të Marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë së Veriut nga viti 2017 dhe pakos së dokumenteve të Presidencës me Këshillin e BE-së lidhur me procesin e zgjerimit.

    Rënia e Qeverisë së Kiril Petkovit në Bullgari ka rënduar edhe më tej krizën politike atje. Diskutimi që duhet zhvilluar mbi propozimin francez u shty dhe kjo nënkupton edhe një veto nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht pengesë edhe për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

    Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

    Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

    Lajmi Paraprak

    Si ndikon ndryshimi i klimës në trupin tonë?

    Lajmi i rradhës

    Osmani kërkon liberalizimin e vizave: Jemi të izoluar në zemër të Europës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë