Petrovska së bashku me sindikatat i harmonizoi ndryshimet për ligj më të mirë për shërbim në Armatë

    Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot në Shtëpinë e Armatës në Shkup ka realizuar takim të përbashkët me përfaqësues të Sindikatës së pavarur të mbrojtjes, Sindikatën e mbrojtjes dhe sigurisë, Sindikatën e pavarur të ushtarëve profesionistë të Maqedonisë, Sindikatës së pavarur të ushtarëve profesionistë –SO dhe Këshillit nismëtar të pensionistëve të armatës ku është arritur ujdi rreth propozim ndryshimit të Ligjit për shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Siç kanë njoftuar nga MM, Petrovska ka shprehur mirënjohje për të gjithë përfaqësuesit e sindikatave për propozimet dhe sugjerimet e tyre që kanë dhënë gjatë dialogut intensiv me ministren në periudhën e deritashme në drejtim të përmirësimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit me qëllim avancimin e të drejtave dhe statusin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    “Bashkë jemi të bashkuar për të njëjtin qëllim. Përmes diskutimeve intensive që kam pasur me ju erdhëm deri te propozimet që do të përmirësojnë ndjeshëm të drejtat e pjesëtarëve tanë siç janë harmonizimi me pagën minimale, ajo do të thotë rritje lineare e pagave të personelit aktiv dhe civil ushtarak, e drejta e realizimit të pensionit do të jetë me mbushjen e 40 vite stazh pune ose 38 për gra pa dallim moshe, ndërsa do të bëhet edhe përllogaritje e re me personelin aktiv ushtarak dhe civil ku të drejtën e pensionit e ka përfituar nga dita e formimit të Armatës në lartësi prej 80 për qind gjatë dhjetë viteve të stazhit të pensionit”, tha Petrovska.

    Sa i përket pagesës së largimit si mundësi për ushtarët profesionistë mbi 45 vjeç në shumën prej 1000 euro për çdo vit të kaluar në armatë, theksohet në deklaratë, propozimi i ri konform kërkesës së Sindikatave është që shuma të jetë dy paga mesatare, por jo më pak se 1000 euro, me çka lihet hapësirë për shumë më të lartë.

    Propozim-ndryshimet  dhe plotësimet e Ligjit për shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut u tërhoqën nga ministrja Petrovska me qëllim për t’u plotësuar dhe dorëzuar në Kuvend si produkt i përbashkët i krijuar përmes një procesi gjithëpërfshirës të ministrisë, Shtatmadhorisë dhe sindikatave të mbrojtjes.

    Lajmi Paraprak

    Vazhdon të rritet mungesa e mjekëve amë

    Lajmi i rradhës

    A të bën të lumtur ushqimi?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë